Plani i Tiranës, këshilli nuk pranon prezantimin me film
zirina llambro
Këshilli bashkiak shtyn për të dytën herë radhazi prezantimin e Planit Rregullues të Tiranës. Mbledhja e djeshme zgjati vetëm 30 minuta mes debateve e batutave. Në mungesë të drejtuesit të studios zvicerane “Urban Plan”, që ka hartuar Planin Rregullues, Bashkia kishte regjistruar prezantimin e tij, i cili nisi të transmetohej me video. Kaq mjaftoi që kryetari i Këshillit, Sokol Dervishaj, përfaqësues i LSI të kundërshtojë këtë formë prezantimi, duke e cilësuar aspak serioze. “Ne nuk jemi mbledhur për të parë film në kinema këtu. Bashkia e Tiranës që ka bashkëpunuar me zotërinë le të na urdhërojë të na e shpjegojë vetë, drejtoria përkatëse të na e shpjegojë. Nuk funksionon kështu kjo”, deklaroi Sokol Dervishi. Ai vendosi të pezullojë mbledhjen i mbështetur edhe nga anëtarët e LSI e PD në këshill. Sipas tyre, kjo është një paraqitje jo serioze nga Bashkia e Tiranës, për një projekt kaq të rëndësishëm, për të gjithë banorët e kryeqytetit “Mbledhja shtyhet për një datë të ardhshme, në të cilën bashkia e ekzekutivit duhet të marrë masa për prezantimin serioz. Jo thjesht planin, por edhe vendimin, se ka një vendim KRT-je për këtë”, tha Sokol Dervishaj, kryetar i Këshillit Bashkiak. Sipas tij, marrëdhënia nuk është mes kompanisë kontraktuese, por me institucionin. Prandaj dhe prezantimi duhej të ishte bërë nga Rama, ose njëri prej drejtuesve të lartë, që është marrë me problematikën e planit. “Në këtë mënyrë do të njiheshim qartë me prezantimin dhe problematikën e këtij plani”, vazhdoi më tej Dervishaj. Ndërkaq kreu i grupit të PD-së Ferdinand Poni theksoi se i takon vetë kryetarit të bashkisë dhe njëkohësisht kryetarit të KRT-së Edi Rama, të prezantojë planin dhe jo Këshilli Bashkiak të kthehet në një sallë kinemaje. “E gjej fare pa vend që ne të dëgjojmë këtë dokumentar dhe dua ta konsideroni, sepse ne s’mund të dëgjojmë këtë, do dëgjonim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, me cilësinë e kryetarit të KRT-së”, tha Poni. Sipas tij bashkia e di vetë kë merr për të përgatitur këtë dokument të rëndësishëm që pritet nga këshilli prej më shumë se një viti, por prezenca e tij është domosdoshmëri. “Paraqitja e këtij dokumenti është gjëja më e rëndësishme. Eshte po kaq e rëndësishme që dhe bashkia vetë ta prezantojë. Zotëria duhet të ishte këtu, është qesharake. Ka ikur në Zvicër a kudo që të jetë tani na thuhet dëgjoni këtë, se kujt do t’i bëjmë pyetje ne kjo nuk dihet është një prezantim komplet joserioz”, tha Poni. Prezantimi i Planit Rregullues të Tiranës ishte përgatitur nga studio zvicerane “Urban plan”, së bashku me ekipin e Bashkisë së Tiranës. “Anëtarët e KRT-së janë të detyruar të jenë këtu prezent. Do kërkojmë të jetë kryetari”, u shpreh Njazi Kosovrasti. Të vetmet momente të qeta ishin ato gjatë zëvendësimit të 10 anëtarëve që kaluan në Parlament pas zgjedhjeve të 28 qershorit, 5 prej të cilëve i përkasin PD-së dhe 5 PS-së. Kryesia e Këshillit Bashkiak do të përcaktojë mbledhjen e radhës dhe formën e prezantimit të Planit Rregullues për Tiranën e viteve të fundit. Mungesa e një plani ka qenë një nga debatet e hershme dhe të vazhdueshme mes demokratëve dhe Bashkisë së Tiranës. Vetëm një vit më parë, Bashkia përfundoi masterplanin dhe e ekspozoi atë në qendër të Tiranës për publikun. Që prej vitit 1989, pra që prej 20 vjetësh Tirana nuk ka një plan të ri rregullues, edhe pse ajo është zmadhuar tej mase, duke u bërë nga një qytet me 240 mijë banorë, në një metropol me rreth 1 milion banorë.
Batutat
Sokol Dervishaj: Ne nuk jemi mbledhur për të parë film në kinema këtu. Bashkia e Tiranës që ka bashkëpunuar me zotërinë le të na urdhërojë të na e shpjegojë vetë, drejtoria përkatëse të na e shpjegojë. Nuk funksionon kështu kjo.
Mbledhja shtyhet për një datë të ardhshme, në të cilën bashkia duhet të marrë masa për prezantimin serioz. Jo thjesht planin, por edhe vendimin, se ka një vendim KRT-je për këtë
Ferdinand Poni: E gjej fare pa vend që ne të dëgjojmë këtë dokumentar dhe dua ta konsideroni, sepse ne s’mund të dëgjojmë këtë, do dëgjonim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, me cilësinë e kryetarit të KRT-së
Paraqitja e këtij dokumenti është gjeja më e rëndësishme. Eshtë po kaq e rëndësishme që dhe bashkia vetë ta prezantoje. Zotëria duhet të ishte këtu, është qesharake. Ka ikur në Zvicër a kudo që të jetë tani na thuhet dëgjoni këtë, se kujt do t’i bëjmë pyetje ne kjo nuk dihet është një prezantim komplet joserioz
Njazi Kosovrasti: Anëtarët e KRT-së janë të detyruar të jenë këtu prezentë. Do kërkojmë dhe kryetarin
Anëtarët e rinj
Partia Demokratike
Sokol Lekaj
Blegina Agolli
Besnik Aliaj
Sulejman Mema
Margarita Qirko
Partia Socialiste
Lili Nushi
Tatjana Selenica
Mimoza Hafizi
Irma Guga
Mehmet Hasanlami