E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Fantazmat e stalinistëve shqiptarë ende tentojnë të provokojnë Shqipërinë dhe shqiptarët

Deklaron ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani


Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani është shprehur dje në fjalën e mbajtur me rastin e 10 majit, ditës së drejtësisë, para ish të përndjekurve politik se në skenën politike shqiptare vazhdojnë të qarkullojnë fantazmat e Stalinit për të cenuar Shqipërinë dhe shqiptarët. “Fatkeqësisht ende fantazmat e stalinistëve shqiptare ende tentojnë të provokojnë Shqipërinë dhe shqiptarët. Tentojnë të kërcënojnë ecjen e tyre përpara. Tentojnë të bllokojnë rrugën drejt familjes së tyre. Tentojnë të minojnë prosperitetin e tyre”- u shpreh ministri Nishani. Ministri i Drejtësisë bëri këtë deklaratë nisur nga situata e fundit politike dhe ecejaket e opozitës sa në protesta aq dhe në greva urie. Ministri Nishani tha se me rastin e ditës së Drejtësisë, është e udhës të vlerësohet sakrifica e jetës së atyre qindra dhe mijëra shqiptarëve, familjeve të tyre në të drejtën për lirinë, për një shoqëri që të ndërtohet si të gjitha vendet e tjera të hapësirave njerëzore. “Sakrifica juaj ishte preludi i lirisë, sakrifica juaj ishte themeli mbi të cilën lindi Shqipëria Europiane. Sot afër 20 vjet, pasi Shqipëria nisi rrugën e saj drejt familjes së saj natyrale, asaj europiane, ne jemi më afër se kurrë pranë saj. Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, ende me shumë pengesa ndeshemi, por shembulli që kontributi dhe sakrifica juaj sollën për ta futur këtë vend në këtë rrugë mbetet një frymëzim i larte moral dhe duhet të jenë modeli që duhet respektuar. Megjithë vuajtjet, sakrificat, mundimet ju sollët shembullin e urtësisë, qytetarisë, fisnikërisë dhe triumfin e të drejtës”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Në vijim të fjalës së tij, ministri i Drejtësisë premtoi angazhimin e qeverisë për të dëmshpërblyer vitet e burgimit dhe të përndjekjes, për të gjithë ata që vuajtën tmerret e regjimit të kaluar. “Në zbatim të ligjit për dëmshpërblimin, kjo Ministri po punon me intensitet për vënien e tij në jetë. Natyrisht që ky proces nuk mund të kthejë as vitet e humbura të rinisë dhe të gjithë jetës, as jetët e vrara, as traumat e pësuara por më së paku njeh moralisht këto sakrifica. Deri më sot janë trajtuar dhe përfunduar dosjet e dëmshpërblimit për 5 370 persona ish- të përndjekur politik me një vlerë financiare prej 20.145.078.144 lekë. Puna do të vazhdojë më me shumë intensitet. Për ta thjeshtuar dhe bërë atë më transparente por edhe më të kontrollueshme tashmë është ndërtuar regjistri elektronik i çdo dosje të dëmshpërblimeve si dhe Ministria po studion me kujdes mundësitë ligjore për kapërcimin e problematikave të ndeshura deri më tani në këtë proces”, tha më tej ministri i Drejtësisë Bujar Nishani.


Shkodër/ Ish të përndjekurit reagojnë ndaj grevës së urisë/Shoqata e ish të përndjekurve politikë të Shkodrës dënuan dje grevën e urisë së Partisë Socialiste që zhvillohet prej dhjetë ditësh në Tiranë. Gjatë një konference për shtyp, kreu i shoqatës, Zenel Drangu tha se këto greva dhe protesta po përpiqen të dëmtojnë rëndë imazhin e vendit tonë duke i rikthyer edhe një herë aktet e dhunës dhe vandalizmit të kryera gjatë diktaturës komuniste. Drangu dhe ish të persekutuar të tjerë pjesëtarë të shoqatës së të përndjekurve politikë dega Shkodër, i kanë kërkuar kreut të socialistëve shqiptarë që të ndërpresë grevën e urisë, sepse në këtë mënyrë po dëmtohet rëndë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›