Shqipëria jo në krizë, kriza është vetëm në mendjen e Edi Ramës

Kryeministri merr pjesë në inaugurimin e shkollës 9-vjeçare të fshatit, Xhafzotaj në Durrës “Thirrja ime është: lërini mënjanë gjyzlykët e kuq! Lërini mënjanë ato dhe shihni Shqipërinë. Nuk them se Shqipëria është parajsa, është shumë larg; nuk them se s’ka varfëri, se varfëri ka; nuk them se s’ka papunësi, se papunësi ka, por ajo ka ritme zhvillimi më të larta se çdo vend tjetër, ka shpresë dhe optimizëm më të madh se çdo vend tjetër”
Kreu i qeverisë Sali Berisha u shpreh dje nga Durrësi, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9-vjeçare në Xhafzotaj, se vendi nuk vuan nga asnjë lloj krize dhe se ajo është vetëm tek ata që nuk duan të mirën e Shqipërisë. Kreu i qeverisë cilësoi se lotët e përfaqësuesve të opozitës, janë lot për etërit e tyre, janë lot për të penguar integrimin e Shqipërisë në strukturat evropiane. “Jo rrallë ju takon të dëgjoni kollagjerët e krizës dhe të zisë duke thënë se jemi të fundit në rajon. Dua t’u them këtyre zotërinjve se ne kemi qenë të fundit në botë, por me besimin tonë tek liria, me djersën, mundin, përkushtimin tonë dhe ndihmën e miqve tanë, sot jemi më afër se kurrë realizimit të ëndrrës tonë evropiane, idealit tonë evropian. Shumë shpejt, në muajt që vijnë, për qytetarët e vendit më të izoluar të botës, për qytetarët e vendit që njëzet vite më parë ishte i rrethuar me tela me gjemba nga të katër anët e kufijve të tij, do të hiqen vizat dhe ata do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën”- tha Berisha. Sipas kryeministrit qeveria demokratike po punon me përkushtim maksimal për kapjen e idealeve evropiane, duke shtuar se në këtë kurs fatkeqësish nuk ndodhet opozita. “Ju që qani dhe vajtoni për vonesën, qani dhe vajtoni për etërit tuaj, se e ardhmja është në pëllëmbë të dorës së shqiptarëve dhe se shqiptarët e kanë kapur të ardhmen e tyre. Ne jemi sot më afër se kurrë realizmit të idealit tonë evropian dhe Shqipërisë evropiane. Shqipëria evropiane është para së gjithash Shqipëria e qytetarëve të lirë, të cilët kanë dhe do të kenë çdo të drejtë Kushtetuese të garantuar. Shqipëria evropiane është Shqipëria e qytetarëve me shërbime moderne. Ndër këto shërbime, arsimi dhe shëndetësia janë më kryesoret. Unë ju garantoj se këto katër vite, sistemi arsimor i vendit, sistemi i edukimit të vendit, do të njohë nivelet më të larta se kurrë më parë; se në këto katër vite sistemi arsimor i Shqipërisë do të arrijë shumë nga treguesit e sistemit evropian”, theksoi kryeministri Berisha.
...