E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helsinki ngre zërin për reformën

Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, shprehin shqetësimin e tyre për vonesën e theksuar për realizimin e reformës zgjedhore. Konstatohet se nga muaji maj i vitit 2007, u ngrit komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore, por tre mandatet e tij përfunduan pa asnjë rezultat. "Kjo mendojmë se është rrjedhojë e mosmarrëveshjeve partiake dhe e mungesës së transparencës", tha Vasilika Hysi. Sipas saj edhe pas ndryshimit të sistemit zgjedhor më 21 prill 2008, megjithëse kanë kaluar 53 ditë, puna për ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor nuk ka filluar, pritmëria është gjithashtu shqetësuese. "Deklaratat … se tani që u vendos sistemi zgjedhor…, …reforma zgjedhore mund të përfundojë brenda muajit korrik të këtij viti…, duken disi të nxituara dhe me elemente euforike", konstatoi ajo. KSHH ka parasysh rekomandimet e shumta dhe të rëndësishme të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, si dhe çështje të tjera që i ka diktuar praktika dhe që duhen pasqyruar në ndryshimet që do t‘i bëhen Kodit Zgjedhor. Në këtë vështrim, kontributi i specialistëve dhe ekspertëve me përvojë në këtë fushë konsiderohet i domosdoshëm, sepse formulimet e dispozitave përkatëse të këtij kodi duhet të jenë të plota, të qarta dhe të mos lënë shteg për keqinterpretime.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›