Themelimi i federatës, Rusia përkujton festën kombëtare
Opinioni shqiptar dikur përkujtonte 7 tetorin kur bëhej fjalë për ish-Bashkimin Sovjetik dhe kjo ndodhte se ishte festa zyrtare e këtij vendi të madh nën regjimin komunist. Por tani, Federata Ruse ka si festë kombëtare të saj 12 qershorin që është festa shtetërore e "Ditës së Rusisë". Për të kujtuar këtë ditë të shënuar për të gjithë rusët kudo që jetojnë, edhe ambasadori rus në Tiranë, Alexander Prishepov, dha një pritje në ambientet e ambasadës. 12 qershori është një rast për rusët në të gjithë botën dhe miqtë e tyre të festojnë arritjen e sovranitetit dhe krijimin e shtetit të tyre demokratik-federatës ruse. Dita e Rusisë është një festë e bashkimit kombëtar. Ishte 12 qershori i 1990 kur Parlamenti rus deklaroi formalisht sovranitetin e vendit. Ky vendim i Parlamentit rus mbi shpalljen e pavarësisë shtetërore do të hapte një kapitull të ri në historinë e këtij vendi: kalimin e Rusisë nga procesi i tranzicionit drejt një shoqërie vërtet të hapur e demokratike me një politikë të jashtme të mbështetur mbi parimet e respektit të sovranitetin dhe barazinë. Emri i kësaj feste ka ndryshuar disa herë. Fillimisht u quajt Dita e Pavarësisë. Më vonë, në 1994, u riquajt Dita e Miratimit të Sovranitetit të Federatës Ruse derisa më në fund, më 1 shkurt të 2002, ajo u riquajt zyrtarisht "Dita e Rusisë".