E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hemilton, përsëri i pagabueshëm

Luis Hemilton e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri në Formula 1, duke fituar Çmimin e Madh të Australisë. Britaniku është kthyer përsëri në rolin e "robotit", duke pilotuar pa asnjë gabim që në kthesën e parë, ndërsa pas tij ndodhnin nga të gjitha gjërat, si parakalimet, incidentet dhe hyrja tri herë radhazi e makinës së sigurisë. Ndryshimet në rregullore dhe heqja e teknologjisë kanë rikthyer spektaklin në Formula 1, por njëkohësisht kanë bërë që garën ta përfundonin vetëm 7 makina nga 22, që u rreshtuan në vijën e nisjes. Zhgënjyese paraqitja e Ferrarit, pasi Raikonen dhe Masa kanë prishur motorin, kurorëzimi i një gare plot gabime dhe dalje jashtë piste që kanë zhgënjyer pritshmërinë.

Pavarësisht zhgënjimit në provat zyrtare, Ferrari pritej të ishte protagoniste në garë, por nuk ia ka arritur qëllimit. Raikonen dhe Masa sulmuan gjatë të gjithë kohës, duke kërkuar një pozicionim në zonën e pikëve, por incidentet dhe daljet jashtë piste sollën edhe prishjen e motorëve të tyre. Masa ishte protagonist në dy incidente para se të braktiste garën në mesin e saj. Ndërsa Raikonen, i cili kishte bërë një ngjitje të jashtëzakonshme deri në vendin e tretë, e ekzagjeron në tentativën për të parakaluar Kovalainen dhe përfundon jashtë pistës. Pas kthimit në pistë, makina e tij ka vështirësi dhe kampioni i botës dorëzohet në xhirot e fundit, pas shpërthimit të motorit. Normalisht, më i lumturi ka qenë Luis Hemilton, i cili për asnjë moment nuk e ka vënë në dyshim dominimin e tij, pavarësisht faktit se makina e sigurisë anuloi tri herë avantazhin që kishte krijuar ndaj ndjekësve. Pas britanikut u rendit Nik Haidfeld me BMV dhe Niko Rosberg me Uilliams, që plotësuan podiumin. Vendin e katërt e meritoi Fernando Alonso me Reno, protagonist i një dueli të shkëlqyer në xhirot e fundit me Haiki Kovalainen, i cili mori vendin e pestë. Barrikelo me Honda e mbylli i garën i 6-ti, ndërsa Nakazhima i Uilliams ishte piloti i 7 dhe i fundit që nuk doli nga kjo garë e parë e sezonit. Megjithatë, pas përfundimit të garës, FIA vendosi që të mos njihej rezultati i Barrikelos, i cili kishte dalë nga bokset me semaforin e kuq. Si rrjedhojë, Nakazhimës i kaloi vendi i 6-të, Sebastian Burde me Toro Roso vendi i 7-të, ndërsa Raikonen mori 1 pikë nga vendi i 8-të, ndonëse motori i tij shpërtheu tre xhiro para përfundimit të garës. Tashmë Ferrari duhet të mendojë si të rregullojë sa më parë makinën dhe ta bëjë atë të besueshme, pasi në të kundërt do të gjendet shumë larg MekLarenit që në fillimin e sezonit. Gara e radhës është vetëm pas një jave në pistën e Malajzisë, gjë që e bën shumë më të komplikuar situatën për ekipet që shfaqën probleme besueshmërie gjatë garës së parë të sezonit me rregullat e reja të FIA-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›