Lipi kundër kontratës së re për trajnerin Donadoni
Ish-trajneri i përfaqësueses italiane, Marçelo Lipi, mendon se pasardhësi i tij, Roberto Donadoni, nuk duhet të pranojë një rinovim kontrate. "Para se unë të shkoja në Botëror, Karraro më kërkoi të rinovoja kontratën, por unë i thashë jo. Përse duhet ta rinovoja kontratën tani? Çfarë do të thotë një gjë e tillë? Do të thotë se nëse shkon dhe zhvillon një Botëror të mirë, mbrapa ke mundësinë të marrësh një kontratë më të mirë. Nëse e bën para aktivitetit dhe pastaj gjërat ecin keq, çfarë do të bësh? Do të rrish vetëm sepse ke një kontratë? Prandaj unë mendoj se një kontratë aktualisht është e pavlefshme", deklaroi Lipi. Duke kaluar te dorëheqja e Mançinit, Lipi mendon se gjithçka erdhi si rrjedhojë e dëshirës së trajnerit për të mobilizuar skuadrën. "Ndoshta ai mendonte të nxiste skuadrën në një moment ku gjërat nuk po shkonin mirë, sidomos pas eliminimit nga Liga e Kampioneve. Ndoshta ky ishte qëllimi i tij i vërtetë".