Hemilton pret Alonson: Do të luftojmë për titullin
Luis Hemilton është i gatshëm për sfidën me Fernando Alonson, nëse ky i fundit do të garojë me Ferrarin gjatë vitit 2010. Piloti i MekLarenit, i cili është kampioni i botës në fuqi, është i sigurt se në kampionatin e ardhshëm, "shigjetat e argjendta" dhe "kokëkuqja" do të kthehen si protagoniste dhe do të rivalizojnë në luftën për titull. Sipas britanikut, nëse në timonin e Ferrarit do të jetë Alonso, atëherë sfida do të jetë edhe më interesante. "Do të ishte mjaft bukur të konkurroja me Fernandon për titullin dhe mendoj se për të transferimi te Ferrari do të ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme", deklaroi Hemilton në konferencën për shtyp të zhvilluar gjatë aktivitetit "Homeless World Cup". "Kemi qenë shokë skuadre dhe i njoh mirë aftësitë e tij. Besoj se vitin e ardhshëm, si ne, ashtu edhe Ferrari, do të kthehemi në luftën për Botërorin e F.1". Në pritje të dueleve me Alonson, britaniku ka folur për kalimin e Fizikelës te Ferrari. Ai tha: "Më bëhet qejfi për të. Është bukur kur ëndrrat realizohen. Fizikela e meritonte, pasi ka arritur rezultate të mira prej disa vjetësh: u bë pjesë e ‘kokëkuqes‘ pasi e filloi sezonin me një makinë modeste". 24-vjeçari kërkon të jetë mes protagonistëve në garën e së dielës në Monza: "Synojmë të fitojmë, kampionati ende nuk është mbyllur. Janë edhe disa gara për t‘u zhvilluar dhe asnjë nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Monza është një prej pistave më të mira në botë, atmosfera është e jashtëzakonshme. Kush do ta fitojë Botërorin? Nuk e di, janë edhe 50 pikë në lojë, gjithçka mund të ndodhë".