E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbreti Kapelo, e gjithë Anglia përulet para tij

Hakmarrja u përmbush dhe, për ta thënë si "Daily Express", "tani është Biliç ai që ka nevojë për ombrellë", nga që pas humbjes 5-1 ndaj anglezëve trajneri kroat e ka parë veten në buzë të greminës. Nata magjike e "Uembllit" ka fshirë fantazmat e asaj mbrëmjeje aspak magjike të 21 nëntorit 2007, kur ishte pikërisht Kroacia e tij ajo që la jashtë Euro 2008 Anglinë e trajnerit Steve MekKlaren.

"Nuk ndalen të pathyeshmit e Kapelos" (të cilët koleksionojnë fitoren numër 8), por më shumë se lojtarët, "The Times" vlerëson pikërisht njeriun që ulet në pankinë, të përkufizuar si "gjeniu i punës" për aftësitë për të transformuar "muret" në "dominues të botës". Jo rastësisht faqja e parë e të përditshmes prestigjioze i është dedikuar e gjitha Kombëtares me thirrjen "Afrika e Jugut, po vijmë!" dhe ku duket fotoja e Stiven Xherrard, i cili të mërkurën ka shënuar një dopjetë.

Një tjetër foto, këtë e herë e Frenk Lampard (edhe ai autor i dy golave), me dy gishtat e zakonshëm ngritur nga qielli në kujtim të nënës e tij të adhuruar, Pat, e cila nuk është më, dominon faqen e parë të "Daily Mail", që përshëndet gjithashtu "Klasin botëror" të anglezëve dhe më pas celebron "Mbretin Kapelo", ose e thënë ndryshe, njeriun që sipas "The Guardian" ka ditur të realizojë një transformim të jashtëzakonshëm të një skuadre, e cila dy vite më parë dukej shumë pranë disfatës. Një njeri që as nuk e ka ndërmend të ndalet dhe që thekson pa frikë se "Anglia mund të fitojë Botërorin", në faqet e "Daily Mirror", duke shtyrë kështu "3 Luanët drejt trofeut në Afrikë". "Daily Telegraph" nderon dhe i jep meritat "Gjuetarit të fantazmave, Kapelo", i cili ka lënë pas "ankthin e të gjitha anktheve". Ndërsa "The Independent" flet praktikisht për "mision të përfunduar". Deklarata entuziaste e trajnerit i jep shtytje "The Sun"-it të bëjë një sondazh online për mundësitë e "Tre Luanëve" anglezë për të fituar Botërorin: Deri dje në mbrëmje ishin në një avantazh të lehtë përgjigjet "Jo" (52% kundër 48%). "Daily Sport" hedh një hap më përpara se të tjerat, kur shkruan "Bota, në duart tona" dhe e shoqëron me një foto të trofeut prestigjioz, ndërsa "Daily Star" shkruan "Jemi perfektë me Kapelon" dhe është sërish trajneri italian "që e ka gjithë botën në dorë".

E vetmja notë stonuese e një nate perfekte ishte përplasja në fund mes Xhon Territ dhe kroatit Ivan Klasniç (mes të tjerash, i sapoardhur në Premier League në formë huazimi te Boltoni). Kapiteni anglez e ka akuzuar kundërshtarin se e ka pështyrë. "Nuk ka qenë një gjë e pëlqyeshme, as e bukur për t‘u parë, lexohej te ‘The Sun‘. Klasniç është personi i parë që më ka pështyrë. Mendoj se e ka bërë, sepse ishte i zhgënjyer për humbjen, por ky sigurisht nuk mund të jetë një justifikim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›