Kuzhe, vëzhgime në Ukrainë dhe Austri
Pasi ishte vendimtar me ndryshimet në taktikën e lojës përballë Danimarkës, trajneri i përfaqësueses Josip Kuzhe ka përcaktuar planin e punës për ditët në vazhdim. Përveç vëzhgimit të ndeshjeve të Superiores, tekniku kroat do të udhëtojë edhe jashtë Shqipërisë. Burime zyrtare në FSHF pohuan se fillimisht 56-vjeçari do të udhëtojë drejt Ukrainës, për të ndjekur "derbin shqiptar" në Vyscha Liga, ku Krivbasi i Bulkut, Agollit, Hidit e Bylykbashit do të luajë kundër Vorsklas së Dallkut, Currit e Januzit. Gjatë javës së ardhshme, Kuzhe do të udhëtojë edhe drejt Austrisë për të vëzhguar nga afër takimin e parë në grupet e Ligës së Europës, ku Rapidi i Vjenës do të presë gjermanët e Hamburgut. Më 17 shtator, në stadiumin "Ernst Hapel", Hamdi Salihi pritet të debutojë me fanellën e Rapidit në kupat e europës.