Kuqezinjtë tronditën pozitën e Olsen
Pas atij barazimi 1-1 të shoqëruar nga një lojë e dobët e Danimarkës përballë Shqipërisë, që ka vënë në rrezik kualifikimin e kësaj skuadre direkt për në Botërorin 2010, tashmë është lëkundur shumë pozita e Morten Olsen në krye të pankinës së danezëve. Ai u emërua në këtë post që në vitin 2000 dhe tashmë ka ardhur koha e skadencës së kontratës së tij. Por rinovimi i saj do të diskutohet vetëm pas përfundimit të ndeshjeve eliminatore në grupin 1. Lajmi është konfirmuar nga sekretari i federatës daneze, Xhim Hansen Star. "Me Morten Olsen do të ulemi të flasim për rinovimin e mundshëm të kontratës vetëm pas mbylljes së ndeshjeve në grup, kur të kemi luajtur edhe takimin e fundit ndaj Hungarisë", nënvizon sekretari i federatës daneze, i cili i njeh meritat e Olsenit gjatë kohës së drejtimit të Kombëtares, por gjithsesi, kusht për rinovimin duket se do të jetë kualifikimi në Afrikë 2010. Një gjë e tillë është kompromentuar disi pas barazimit 1-1 me Shqipërinë të mërkurën në Tiranë.