Henri: Ndihem mirë në Londër
23/03/2005 Tieri Henri iu ka dhënë një dorë të fortë spekullimeve, lidhur me mungesën e dëshirës për të qëndruar me Arsenalin. Kështu, sulmuesi francez ka deklaruar se asgjë nuk do ta bënte të largohej nga “Hajbëri Park”, përveç preferencës së vetë klubit. Për momentin, Henri vazhdon të vuajë nga një tërheqje muskulare në pulpë, por gjatë gjithë këtyre viteve, ka qenë i përfshirë në zërat e merkatos, për transferimin e tij nëpër klube të ndryshme evropiane, siç është Barcelona. E megjithatë, Henri ka bërë të ditur se ndihet shumë mirë në Londër dhe mbi të gjitha, nuk ka provuar asnjëherë probleme me jetën në Angli. Sulmuesi 27- vjeçar, nga ana tjetër është shprehur se, edhe me trajnerin Arsen Venger ka ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë, gjë, e cila ka bërë që ai të mos e mendojë kurrë largimin prej Arsenalit. “Këtu ndihem shumë mirë, ka thënë Henri. Nuk më ka ndodhur asgjë serioze, qysh kur kam ardhur tek Arsenali, edhe pse ndonjëherë gjithçka është e mundshme. Madje, e kam të vështirë për të reaguar në situata delikate apo konfliktuale. Për momentin jam i lumtur këtu dhe mbi të gjitha kam një marrëdhënie shumë të mirë me Arsen Venger. Deri më tani, asgjë nuk ka për të më larguar prej këtej. Me këtë dua të them se, unë do të largohesha vetëm, nëse një gjë të tillë do ta kërkonte vetë klubi, ose nëse do të humbisja vendin e titullarit në formacion. Pra, vetëm për këto arsye, unë mund të largohesha prej Arsenalit”. Ndër të tjera, Henri ka thënë diçka edhe për ecurinë e skuadrës londineze në Premier Ligë. “Njerëzit presin prej nesh që të ecim më mirë sesa në sezonin e kaluar, ka shtuar Henri. Gjithmonë jeton dhe vdes për suksesin, por ndonjëherë mund të ndodhë që të bllokohesh, pasi ndihesh i verbuar. Ndihemi shumë keq për humbjen e titullit dhe skualifikimin nga Liga e Kampioneve, por si çdo vit, ne kemi patur anët tona pozitive e negative”.