Interi në sulm për Çivun
23/03/2005 Ndonëse në garë për objektiva të rëndësishëm, mbi të gjitha përplasja e Ligës së Kampioneve kundër Milanit, Interi mendon që tani për sezonin e ardhshëm. Sipas zërave që vijnë nga Roma, drejtuesit zikaltër kanë qenë në kryeqytet ditën e hënë, për të paraqitur një ofertë zyrtare për mbrojtësin Kristian Çivu: 10 milionë euro plus njërin prej Kordobës e Materacit. Megjithatë, për momentin drejtuesit e Romës kanë refuzuar, ndoshta për të biseduar më parë me vetë futbollistin, i cili është kthyer në fushë kundër Milanit, pas një mungese disa-mujore për shkak të një dëmtimi. Vetë Çivu, vështirë se do të kërkojë të largohet, pasi ndihet borxhli kundrejt një klubi që e ka pritur për një kohë të gjatë për t’u riaftësuar nga dëmtimet e ndryshme. Por mbrojtësi rumun u pëlqen shumë skuadrave, që ekonomikisht janë më të forta se Roma dhe mund të ndryshojnë mendimin e presidentit Sensi. Interi është treguar më aktivi, që prej verës së kaluar,por edhe Reali, Juventusi e Milani janë gati, nëse rreth rumunit do të hapet ndonjë ankand. Çivu nuk ka ndërmend të bëjë një kërkesë për t’u larguar, sepse ka rreth një vit pa luajtur dhe duhet ta zëvendësojë, por klubi verdhekuq duhet të bëjë të ditura planet e së ardhmes për të bindur ish-mbrojtësin e Ajaksit, i cili erdhi në kryeqytet me ambicje krejt të ndryshme nga ato aktualet, që janë Kupa e Italisë dhe dalja në Evropë. Konfirmimet e Totit dhe Montelës do të ishin mëse të mjaftueshme për të fshirë çdo dyshim, por në rast se Roma do të ketë nevojë për lekë, nuk përjashtohet edhe shitja e Çivut.