E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pagat e pedagogëve, në qershor përfundon fondi

23/03/2005  Pedagogët, kanë deklaruar se do të rinisin grevën. Hoxha: Do ta ndjejmë këtë shqetësim

Nëse në muajin mars rritja e pagave të pedagogëve dhe punonjësve të administratës nuk merret përsipër të paguhej tërësisht nga buxheti i shtetit, pedagogët do të rinisin përsëri grevën pa afat, kështu kanë deklaruar pedagogët, dy muaj më parë. Por muaji mars po përfundon, dhe as që flitet mbi një studim për rritjen e pagave. Ndërkohë që Rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, ka vënë alarmin se fondi për të paguar shtesat e pagave po përfundon. Të njëjtin shqetësim kanë dhe pedagogët e Universitetit Politeknik. “Në fakt, fondet nga buxheti i shtetit jepen çdo gjashtë muaj, dhe ne kemi një fond më të lartë se Universiteti i Tiranës, por dhe ne kur të përfundoj gjashtë mujori kemi për ta ndjerë këtë shqetësim”, thotë Ismail Hoxha, shefi i profesoriatit në Universitetin Politeknik dhe njëkohësisht ish-kryetari i komisionit të grevës së pedagogëve. Në muajin qershor i bie të përfundoj ky fond.

2000 pedagogët

Në fund të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave vendosi që të pranoj rritjen e pagave të pedagogëve, që varioi nga 30 për qind deri në 60 për qind, sipas titujve e gradave. Kjo rritje page, për këto dy muaj do të përballohej nga të ardhurat dytësore, ndërsa me përfundimin e studimit të pagave në muajin shkurt, pedagogët do të hynin në piramidën e punonjësve të administratës qendrore. Për të përballuar rritjen e pagave të 2000 pedagogëve dhe akademikëve, parlamenti miratoi në fillim të vitit buxhetin shtesë të pagave të pedagogëve, 600 milionë lekë të reja. Qeveria vendosi që rritja e pagave të përballohej 50 për qind nga buxheti dhe gjysma tjetër nga të ardhurat e vet universiteteve, që janë rreth 12 milionë.

1000 punonjësit e administratës

Ndërkohë rritja e pagave të 1000 punonjësve të administratës së 11 universiteteve nga 1 janari deri më 30 shkurt do të përballohet nga të ardhurat dytësore të Universiteteve. Këta punonjës aktualisht paguhen si punonjës buxhetorë të thjeshtë, ndërsa që këtej e tutje do të paguhen si punonjës të administratës qendrore, pra do të fitojnë statusin e nëpunësit civil. Aktualisht pagat e tyre lëvizin nga 10.8 mijë lekë të reja në 20 mijë lekë të reja. Me futjen në piramidën e pagave të administratës publike, ata përfitojnë një rritje page deri 50 për qind.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›