Toti humbet durimin
23/03/2005 Pamjet e Françesko Totit duke goditur me shkelm Masimo Ambrozinin, në fundin e ndeshjes së Romës kundër Milanit, tregojnë qartë gjithë zhgënjimin e një kampioni të madh, që sheh shkatërrimin e skuadrës së tij jo vetëm nga pikëpamja e rezultatit. Kapiteni i Romës tashmë ndihet vetëm, kjo është mëse e vërtetë. Nuk mjaftonin një mbrojtje e rrëmujshme dhe një mesfushë shpesh jo në lartësinë e duhur, tashmë edhe kolegët e sulmit, ata që me Totin përbëjnë treshen e mrekullive, duken jashtë forme, pa humor dhe gjithmonë me vonesë. Toti vrapo, përplaset, krijon, pason dhe gjuan, ndërkohë që Montela është kthyer në një njeri të padukshëm e Kasano gabon edhe pasimin më elementar. Dhe në një kohë që rezultatet nuk vijnë, kreu i renditjes kthehet në një mirazh dhe edhe objektivi UEFA bëhet një “mal” tepër i lartë për t’u ngjitur, edhe Toti humbet qetësinë dhe bie pre e nervozizmit. Para pak ditësh, në një emision televiziv, Toti deklaronte: “Për momentin, jam i Romës 100%”. Por çfarë do të ndodhë këtë verë? Rreziku është që rekordet personale të arritura gjatë këtij sezoni (mbi të gjitha rekordi i golave me bluzën e Romës), nuk do të mjaftojnë për ta mbajtur kapitenin në Romë. Toti dëshiron të fitojë, por Roma e të ardhmes vështirë se do ta kënaqë. Skuadrat që i ofrojnë trofe dhe lavdi nuk mungojnë: Reali dhe Milani do të bënin gjithçka për ta bindur. Kontrata e tij skadon në 30 qershor 2006 dhe nuk ka shumë kohë, ndaj ai duhet vendosë.