Henri kërkon ndryshime
22/12/2004 Sulmuesi i Arsenalit, Tieri Henri ka zënë vendin e dytë, në mbrëmjen gala të organizuar nga FIFA, për “Lojtarin e Vitit”, por nuk ka harruar të premtojë se, do të japë maksimumin për t’u bërë numri 1 në vitin 2005. Në këtë mënyrë, asi francez ka zbuluar se ndonëse ka shënuar 42 gola me Arsenalin, në vetëm 48 ndeshje të zhvilluara brenda vitit 2004, asgjë nuk ka mjaftuar për të fituar çmimin prestigjoz të FIFA-s. E megjithatë, Henri në komentet e tij, ka lënë mënjanë këtë eveniment të rëndësishëm në futbollin botëror, duke menduar për ecurinë e topçinjve në Premier Ligë. Ai kërkon me çdo kusht që të japë kontributin e tij, duke i dhuruar Arsenalit, titullin kampion për këtë sezon. “Nuk është thjesht përgjegjësia ime, por ajo çfarë ka rëndësi, është loja në grup që duhet të zhvillojmë, ka komentuar Henri. Është me të vërtetë e habitshme, kur arrin të fitosh trofe personalë, por më e keqja është se do të vuash gjatë gjithë sezonit, bashkë me shokët e skuadrës. Pra, më shqetëson më tepër vështirësia e suksesit në tërësi, si skuadër. Pavarësisht nga çmimet individuale, unë dua të fitojmë titullin kampion në Angli, si dhe Ligën e Kampioneve, brenda këtij sezoni. Kështu, disa muaj më parë njerëzit filluan të pyesnin se si duhet ndalur hovi i Arsenalit. Pak më vonë, gjithçka u transformua duke u shoqëruar me pyetjet, në lidhje me atë se çfarë duhet bërë për të ndalur ecurinë e papritur të Çelsit. Për momentin, blutë janë duke fluturuar larg dhe ne do t’i lëmë që të vazhdojnë fluturimin e tyre. Tashmë ata janë ngjitur mbi re, por ne do të presim deri sa të zbresin me këmbë në tokë. Sidoqoftë duhet të mos i nënvlerësojmë, sepse në fund të fundit, janë duke luajtur një futboll të jashtëzakonshëm. Këtë nuk mund ta mohojmë kurrësesi. Atë çfarë duhet të mendojmë, është se shumë shpejt, ata do të humbasin pikët e para. Në fillimin e sezonit patën një rënie të theksuar, duke mos treguar një nivel të mirë loje, por vazhdonin të fitonin. Unë madje thosha se, nuk ishte aspak e rëndësishme, nëse Çelsi gjithmonte fitonte sa më shumë pikë. Kurse në këto momente kjo skuadër po shkatërron të tjerat dhe po zhvillon një lojë mjaft të mirë. Jemi në gjendje ta shohim me vëmendje dëshirën dhe etjen e tyre të madhe për fitore. Pra, na kanë treguar se të gjithë e kishin shumë gabim që në fillimsezon mendonin se ishin një skuadër e dështuar. Nga ana tjetër, unë mendoj se ne vazhdojmë të mbetemi në garën për titull dhe se akoma nuk dihet asgjë se çfarë ka për të ndodhur”.