E Hënë, 2 Nëntor 2026

Myftinia paralajmwron protesta pwr rindwrtimin e xhamisw

20/12/2004  ELBASAN - Myftinia e Elbasanit ka paralajmëruar protesta masive në rast se nuk gjendet konsensusi për të rindërtuar xhaminë e Balliasit në këtë qytet. Reagimi i Myftinisë vjen menjëhërë pas miratimit të projektit për qendrën e qytetit nga KRRTRSH.

Vetë myftiu i Elbasanit, Agim Duka, ka bërë të ditur dje se, “mësuam me shqetësim, përmes mediave, vendimin e fundit të KRRTRSH, mbledhur më datë 18.12.2004. në qytetin tonë, vendim që merr përsipër të tjetërsojë truallin e xhamisë së Balliasit në qendër të qytetit, në këmbim të një hapësire të gjelbër".

Ndërsa nëpërmjet një deklarate publike të bërë dje, zëvendësmyftiu i Elbasanit, Behaudin Gashi, shpjegoi arsyet dhe pikat e kontestimit nga ana e tyre të vendimit të KRRTRSH.

“Ne, si pronarë të ligjshëm të truallit të xhamisë, pengohemi përsëri përmes moslajmërimit që të mos jemi të pranishëm dhe të asistojmë në mbledhjen që zhvillohet për këtë qëllim. Ne jemi pronarë të truallit fizik, kurse pronarë shpirtërorë të saj janë banorët e Elbasanit. KRRTRSH duhet të na ndihmojë që të na kthehet gëzimi shpirtëror nga dhimbja e shkaktuar nga sistemi antishpirtëror i diktaturës që e shembi xhaminë. Në këtë kuadër, ne nuk po kërkojmë nga shteti ndihmë materiale, por morale dhe ligjore”, ka shpjeguar Gashi.

Përkundër vendimit për shmangien nga projekti të xhamisë, zëvendësmyftiu ka bërë të ditur arsyet pse kjo xhami duhet të rindërtohet në vendin që ka qenë.

“Xhamia e Balliasit duhet të ndërtohet në vendin e saj, sepse të kërkosh hapësirë për ndërtimin e një xhamie është elitarizëm, sepse në xhami synohet lartësimi shpirtëror dhe jo e kundërta. Nga 7 xhamitë që ka pasur përgjatë aksit të bulevardit ‘Qemal Stafa’, xhamia e Balliasit është mundësia e fundit që ne të kompensohemi. Shtatë xhamitë, që sot janë zhdukur, janë Xhamia e Agait, Selvisë, Pazarit, Tabakëve, Beqarëve, Ballies dhe Bobolles. Në kontekstin e raporteve midis traditës dhe modernes, ne mendojmë se Elbasani i sotëm me ndërtimin e kësaj xhamie do të ishte një vazhdë organike e së kaluarës së tij të ndritur”, shpjegon zëvendësmyftiu Behaudin Gashi.

L. Lleshi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›