E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksë dyfish për çmimet e larta

21/12/2004  Bizneset që kanë fluksin më të madh të shitjeve për festat e fundvitit, do të jenë në qendër të vëmendjes së tatimorëve, të cilët do të bëjnë një monitorim të rreptë të tregut deri më 31 dhjetor. Parimisht është lajmëruar që të gjitha bizneset që do të abuzojnë me çmimin, duke shitur mbi një nivel mesatar të çmimit në treg, do të paguajnë dhe dyfishin e tatimit. Kjo është masa e parë që do të marrin tatimorët për të ndaluar abuzimin masiv me çmimin e fundvitit, që shënon dhe nivelin më të lartë të vitit. “Eshtë bërë propozimi për rivlerësim dhe rritje të masës së tatimit për tatimpaguesit, që rrisin në mënyrë abuzive çmimet e mallrave”, bëhet e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ata që do të vëzhgohen më rreptësisht, duket se janë agjencitë turistike, restorantet e prenotuara për ditët e festave, por dhe ata që shesin lodra dhe fishekzjarre. Këta të fundit, përveçse do të kontrollohen për çmimet, do të monitorohen dhe për faturat me të cilat importojnë dhe shesin fishekzjarret. “Do të mbahen nën kontroll të vazhdueshëm tatimpaguesit që importojnë, ruajnë dhe tregtojnë mallrat me natyrë piroteknike (fishekzjarre) dhe lodrave të fëmijëve për evidentimin e xhirove të sakta dhe, nëse ka rritje të tyre në mënyrë abuzive”, ka bërë të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në këtë kontekst, tatimorët kanë kujtuar se po kaq të rrepta do të jenë dhe kontrollet mbi restorantet që bëjnë pronotime për festat e fundvitit”. Do të bëhet kontrolli i xhiros te restorantet, të cilat janë të prenotuara për festat e fundvitit dhe reflektimi në situatën tatimore të tyre”, sqaron DPT. Historia e përvitshme e abuzimit me çmimin, ka bërë që këtë vit Policia Tatimore të bëhet më e vëmendshme, në ruajtje jo vetëm të interesave të konsumatorëve, por dhe të interesave buxhetore. Kështu çmime më të larta do të thotë taksa më të larta dhe të ardhura më shumë në arkën e shtetit. Pikërisht, në funksion të këtij kontrolli është propozuar dhe masa e rivlerësimit të tatimit për çdo rast abuzimi me çmimin. Ndërkaq në aksionin e ndërmarrë ditët e fundit, Policia Tatimore e Tiranës ka ndërhyrë edhe për evidentimin e shkeljeve te tatimpaguesit që importojnë, ruajnë dhe tregtojnë mallrat me natyrë piroteknike (fishekzjarre), duke u përqendruar më shumë te leja e posaçme e tregtimit të këtyre mallrave. Kështu, në ditën e parë të kontrollit janë evidentuar rreth 45 subjekte që qarkullonin mallra pa dokumentacionin përkatës, të cilat janë bllokuar dhe gjobitur. “Kontrolluam edhe subjekte të shitjes me shumicë të produkteve ushqimore, sidomos ato që kanë rritje të xhiros në fundvit, pas verifikimit të të cilave u bë rivlerësim dhe rritje e masës së tatimit për tatimpaguesit që rrisnin në mënyrë abuzive dhe të menjëhershëm çmimet e disa produkteve”, ka bërë të ditur DPT.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›