Kosova e pavarur në kufijtë aktualë*
28/01/2005
Pas afër gjashtë vjetësh, do thënë se Kosova e lirë ka pasur një progres të madh në të gjitha fushat e zhvillimit. Pra, këto ishin vite të forcimit të lirisë, të sigurisë, të ekonomisë dhe të demokracisë. Po ashtu, gjatë kësaj kohe është treguar fuqia e shpirtit të lirisë së popullit dhe të qytetarëve të vendit tonë. Ky progres ka qenë në ngritje e sipër edhe gjatë vitit të shkuar. Do konstatuar se viti 2004 do të hyjë në analet e Kosovës për mbajtjen me sukses të zgjedhjeve të dyta nacionale. Në këto zgjedhje u dëshmua një kulturë e lartë politike e shtetërore e të gjithë qytetarëve të vendit, si dhe e partive politike e pjesëmarrësve të tjerë në këtë proces demokratik.
Kemi krijuar institucione stabile
Njëherësh, ishte i rëndësishëm edhe krijimi me kohë i institucioneve të reja nacionale sipas procedurës demokratike, që u vlerësua pozitivisht nga qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare. Pas vendosjes së elementeve bazë të institucioneve qendrore të Kosovës, institucionet e reja pas zgjedhjeve të dyta nacionale, kanë më shumë mundësi të jenë më efikase. Duhet të pranojmë se Kuvendi i Kosovës ka kryer një punë të madhe në miratimin e shumë ligjeve themelore, deklaratave e rezolutave të ndryshme në të mirë të Kosovës dhe ka krijuar një frymë demokratike të punës së vet. Për periudhën e ardhshme ka paraparë një punë më të madhe.
Qeveria e Kosovës me të gjitha ministritë ka arritur të krijojë një përvojë ekzekutive në interes të vendit e të qytetarëve. Duke u mbështetur në programin e qeverisë së re, që është mjaft ambicioz, jam i bindur se do të kemi një efikasitet më të madh. Që në fillim të punës kjo Qeveri ka treguar një dinamikë të re dhe përkushtim të madh në realizimin e programit të vet.
Presidenti i Kosovës ka ushtruar një ndikim pozitiv në funksionimin e institucioneve të vendit, duke dhënë sugjerime e iniciativa të ndryshme. Çështje qendrore ka qenë qëndrueshmëria e stabiliteti politik e shtetëror dhe po ashtu ka bërë një përfaqësim të unitetit të popullit në vend dhe të interesave nacionale jashtë. Presidenti do ta forcojë rolin e tij unifikues dhe përfaqësues në periudhën e ardhshme.
Jemi të bindur se institucionet qendrore do të jenë më efikase në ndërtimin e pushtetit legjislativ, ekzekutiv e reprezentativ dhe forcimin e shtetit të së drejtës në të mirë të popullit e të gjithë qytetarëve. Pushteti lokal ka pasur një progres të mirë dhe ka qenë gjithnjë e më afër qytetarëve dhe kërkesave të tyre. Ne e kemi përkrahur vazhdimisht pushtetin lokal të vendit.
Kosovarët e kanë manifestuar shpirtin e tyre ndërmarrës
Fusha e ekonomisë ka treguar një ngritje të qëndrueshme, sidomos sektori privat, i cili është dinamizuar me procesin e privatizimit. Edhe gjatë kësaj kohe kosovarët kanë manifestuar shpirtin e tyre ndërmarrës në ekonomi dhe në biznes. Në të njëjtën kohë buxheti i Kosovës është një moment me rëndësi për funksionimin e shtetit, që Kosova e mbledh nga të ardhurat e veta. Ne do të kujdesemi që ky buxhet të përdoret për funksionimin e shtetit dhe për të stimuluar zhvillimin ekonomik të vendit. Në planin financiar kemi një konsolidim të bankave private, që kanë vendosur lidhje me bankat ndërkombëtare në përkrahje të ekonomisë së Kosovës. Ato duhet të përkrahin më shumë ekonominë përmes dhënies së kredive më të volitshme.
Një çështje kyç mbetet stimulimi i eksportit të prodhimeve kosovare në tregun ndërkombëtar dhe të hiqen pengesat e ndryshme administrative. Infrastruktura e përgjithshme dhe sidomos ajo e rrugëve ka pasur një zhvillim në planin lokal rural dhe në atë të rrugëve nacionale. Mendojmë se së shpejti do të fillojë ndërtimi i pjesës së Kosovës të autostradës Prishtinë-Durrës, me rëndësi vitale për të dy vendet tona dhe më gjerë. Do t'i kushtohet vëmendje kompletimit të Aeroportit të Prishtinës dhe përgatitjes së Aeroportit të Gjakovës për shërbime civile dhe si aeroport rezervë i vendit. Në planin e telekomunikacionit, sidomos të telefonisë mobile, duhet të krijojmë një konkurrencë, që shërbimet të jenë më të mira e më të arritshme për qytetarët.
TMK-në do ta shndërrojmë në forcë mbrojtëse
Mund të themi se gjendja e sigurisë ka pasur një konsolidim të vazhdueshëm. Policinë e Kosovës duhet ta specializojmë dhe ta ekipojmë më shumë, që të jetë në gjendje t'i kryejë obligimet e veta. Trupat Mbrojtëse të Kosovës kanë arritur të zhvillohen dhe do t'i përkrahim që të aftësohen më tej për detyrat e tashme dhe në të ardhmen të jenë forcë mbrojtëse për vendin tonë.
Arsimi ka vazhduar procesin e reformave dhe është në fazën e konsolidimit të qëndrueshëm, që t'u përgjigjet nevojave të zhvillimit ekonomik e demokratik të vendit. Duhet të fuqizohet kompjuterizimi i shkollave dhe i universitetit si dhe stimulimi i gjuhës angleze, që sot është gjuhë e dytë në Kosovë, pastaj i gjuhës frënge, gjermane e italiane.
Në fushën e shëndetësisë do të kemi një angazhim më të madh, sidomos në vendosjen e mjekësisë së lartë dhe specializimin e ekspertëve për këtë punë.
Në planin social është treguar një kujdes ndaj grupeve të ndryshme sociale në çështjen e punësimit dhe të ndihmës. Duhet të bëjmë më shumë në konsolidim të Fondit të pensioneve dhe të fondeve të tjera për invalidët e luftës, të punës dhe të familjeve të dëshmorëve. Në sektorin e bujqësisë duhet të demonstrojmë një angazhim më të madh. Mbetet detyrë që të fillojmë subvencionimin e projekteve të ndryshme që do të shtonin prodhimin dhe cilësinë, siç veprojnë shumë vende të BE-së dhe në SHBA. Kosova është në gjendje të prodhojë ushqimin për vete.
Kujdesi ndaj ambientit ka qenë më i shtuar në nivel të pushtetit lokal dhe të atij nacional. Shumë komuna kanë hartuar planet hapësinore, që duhet të jenë në pajtim me planin e përgjithshëm të Kosovës, që duhet ta kemi sa më shpejt.
Përkrahje e veçantë për sektorin privat
E themi me bindje të plotë se viti në të cilin kemi hyrë, pra në periudhën e ardhshme, do të kemi një rritje më të madhe të progresit të vendit tonë, sepse kemi krijuar një bazë të qëndrueshme shtetërore të aftë për zhvillim të mëtutjeshëm. Të gjitha institucionet do të përqendrohen fuqimisht në zhvillimin ekonomik, të gjenden mundësi që Qeveria t'i garantojë investimet, të vazhdojë procesi i privatizimit dhe të zbatohet Ligji i koncesioneve që ky Kuvend i nderuar e ka miratuar në vitin e kaluar.
Përkrahje të veçantë do të ketë sektori privat. Duhet t'i shikojmë të gjitha mundësitë që të krijojmë vende të reja të punës, sidomos për të rinjtë e vendit tonë, që janë të aftë të ndihmojnë zhvillimin e përgjithshëm.
Njëherësh do theksuar se angazhim të fuqishëm do të bëjmë në zgjidhjen e problemit energjetik në vend, që është bazë për zhvillimin ekonomik. Ne duhet t'i shikojmë të gjitha mundësitë që nëpërmjet garantimit të investimeve, apo koncesioneve, të ndërtojmë kapacitete të reja energjetike. Në këtë mënyrë Kosova do të bëhej eksportues i energjisë, sepse i ka rezervat më të mëdha të thëngjillit në Evropë dhe ndër më të mëdhatë në botë, që vlerësohen në 16 miliardë tonë. Në të njëjtën kohë duhet të mendojmë edhe për format e energjisë ujore dhe për format e tjera të energjisë alternative.
Në zhvillimet e brendshme do të vazhdojmë të angazhohemi më shumë në integrimin e grupeve etnike, apo të minoriteteve, në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës, si dhe për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të tyre. Në këtë drejtim është i rëndësishëm edhe vullneti i tyre më i madh për integrim në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës dhe do t'i inkurajojmë gjithnjë e më shumë.
Përfaqësim diplomatik në disa vende
Mendojmë se është koha që Kosova të ketë mundësi të përfaqësimit diplomatik në disa vende evropiane dhe në SHBA dhe në vende të tjera, çfarë do të siguronte një komunikim zyrtar dhe do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të vendit. Ne do t'i bëjmë të gjitha përgatitjet në këtë plan me miqtë tanë.
Edhe me këtë rast kërkojmë një liberalizim të vizave, sidomos për njerëzit e biznesit, pra me vendet e BE-së dhe me SHBA-të.
Çështje e rëndësishme do të jetë edhe bartja e kompetencave tek institucionet tona, proces që tashmë ka filluar në bashkëpunim me UNMIK-un dhe sidomos pas ardhjes së kryeadministratorit Petersen.
Një angazhim të vazhdueshëm do të bëjmë në vlerësimin dhe përmbushjen e rekomandimeve apo standardeve prioritare për integrim në strukturat evropiane dhe evroatlantike, siç janë: stabiliteti politik, mbrojtja dhe garantimi i minoriteteve, si dhe reforma e pushtetit lokal, që do të bëhet mbi baza vertikale dhe jo mbi baza etnike. Ne jemi përcaktuar për këto procese dhe këto rekomandime janë në të mirë të zhvillimit të vendit dhe të të gjithë qytetarëve.
Njohje të drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës
Ne do të punojmë dhe insistojmë që sa më shpejt nga SHBA-të dhe BE-ja të bëhet njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës në kufijtë aktualë, çfarë do t'i shpejtonte proceset e brendshme demokratike, ekonomike e njerëzore, dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës si dhe popullin e qytetarët e vendit tonë. Pra, një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të. Ky është vullneti politik i popullit të Kosovës. Me njohjen e pavarësisë, për një kohë UNMIK-u do të kalojë në rolin këshilldhënës dhe KFOR-i/NATO do të vazhdonte praninë e vet të rëndësishme për Kosovën dhe për vendet rreth saj, ndërsa në të ardhmen NATO-ja do të ketë baza këtu, sepse ne do të jemi anëtar i saj.
Po ashtu, do t'i bëjmë të gjitha përpjekjet që të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë. Kjo është politikë zyrtare e Kosovës.
* FJALIMI VJETOR I PRESIDENTIT TË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVËS, PARA DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS