E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëzia e pseudo-ambientalistëve shqiptar

28/01/2005  

Prej disa ditësh për importimin e makinave të vjetra na duhet të paguajmë shumë më shumë se më përpara. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një tjetër masë në radhën e masave që merren në Shqipëri të kapërdira nga Perëndimi, pa u përshtatur aspak me realitetin. Në pamje të parë ky duket një veprim i arsyeshëm kur kemi parasysh ndotjen e madhe që ballafaqojmë çdo ditë në Tiranë dhe në qytetet e tjera si dhe faktin që masa të ngjashme merren edhe në vendet e tjera.

Mirëpo problemi qëndron te fakti që ky veprim është haptazi diskriminues dhe nuk është detyrimisht zgjidhje e mirë për problemin. Për më tepër rëndon xhepat e pjesës më të varfër të shoqërisë, e cila nuk ka boll para që të blejë një makinë të re. Së pari, në cilin studim është bazuar vendimi për të dekurajuar futjen në Shqipëri të makinave të vjetra kur dihet që makinat e vjetra nuk janë shkaktaret kryesore të ndotjes, për mos të thënë që janë dëmtuesit më të parëndësishëm?

Së dyti, a është motivi i vërtetë i këtij veprimi ulja e ndotjes apo thjesht favorizimi i dyqaneve koncensionare të makinave dhe rritja e të ardhurave të doganave?

Për t’i dhënë përgjigjë këtyre pyetjeve, nevojitet që t’i hidhet një sy shkaktarëve të tjerë të ndotjes së lartë në Tiranë dhe në qytetet e tjera.

Një ndër problemet kryesore është përqëndrimi i madh urban që ka kondensuar në një sipërfaqe shumë të vogël një numër shumë të madh të popullsisë. Ky kondensim nuk është marrë fare parasysh nga urbanistët, pasi çështjet e trafikut rrugor janë lënë krejt pas dore në kuadrin e manisë për të ndërtuar. Rrugët e Tiranës janë ndërtuar në një kohë kur shqiptarët nuk mund të zotëronin makina private, ndërkohë pallatet sot ndërtohen shumëkatëshe vend e pa vend, pa patur një plan urbanist efikas e largpamës. Rrugët tona janë bërë problematike me këtë dendësi makinash, ku çdo gati 17 persona kanë një makinë, por ç’do të ndodh po qe se pasurohemi më shumë e blihen më shumë makina.

Po kështu mungesa e parkimeve është një ndër nxitësit kryesorë të sasisë së trafikut në rrugët tona. Një shoferi i duhet të endet për një kohë të gjatë në Tiranë për të gjetur një parkim, ndërkohë që prania e më shumë vendeve për parkime të shpërndarë në gjithë Tiranë do të ulte shumë trafikun. Porse jo vetëm që nuk parashikohen sheshe ndërtimi për parkime, por edhe një pjesë e mirë e pallateve të reja ose janë ndërtuar pa garazhe, ose garazhet i kanë të shndërruara në dyqane.

Një tjetër masë, që do të pakësonte trafikun, është ndryshimi i infrastrukturës rrugore në Tiranë. Ndërtimi i unazës së dytë dhe korridoreve të tjera, që shmangin qendrën dhe lejojnë makinat që të ecin në periferi e mos të kalojnë medoemos afër statujës së Skënderbeut për të shkuar për shembull nga Durrësi për në Elbasan. Përqëndrimi i infrastrukturës në qendër ka bërë edhe që edhe trafiku të përqëndrohet në qendër.

Po kështu, trafiku i çrregullt që çon në trafik të tepruar vjen edhe si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit dhe bllokimeve në kryqëzime. Sikur policia ta rregullonte më mirë qarkullimin dhe të eliminonte kaosin që shkaktohen nga semaforët dhe policët që nuk funksionojnë siç duhet, do të kishim më pak trafik.

Përpos çështjeve të trafikut, një tjetër shkaktar i rëndësishëm i ndotjes është mungesa e gjelbërimit. Parqet janë mushkëritë e qytetit, pasi ato mund të neutralizojnë ndotjen që prodhohet. Por jo vetëm që nuk ndërtohen parqe të reja për të kompensuar për zgjerimin urban të Tiranës dhe të qyteteve të tjera, por edhe ato zona të gjelbërta ekzistuese jepen pa të keq si sheshe ndërtimi, ose janë të zaptuara nga ndërtime pa leje. Po kështu, pyjet shqiptare jepen në përdorim pa kurrfarë kriteri e kontrolli dhe lihet që Shqipëria të ketë nivelin më të lartë në Evropë të erozionit.

Ndërkohë që trafiku dhe makinat mbeten problematike për ambientin, harrohet që smogu shkaktohet edhe nga djegia e plehrave, rrotave të makinës apo gropat e gëlqeres, për të cilat nuk merret kurrfarë mase. Për më tepër që pjesa më e madhe e ndotjes nuk shkaktohet nga tymi i dalë nga marmita e makinës, por nga pluhuri dhe pisllëku që mbizotëron nëpër rrugët tona dhe që ngrihet në ajër nga ecja e rrotave të makinës. Nga një anë qëndrojnë ndërtimet e pareshtura, që nuk pyesin për lëndën ndërtimore që përhapet anembanë dhe rrugët e dëmtuara nga makinat e rënda. Dhe në anën tjetër qëndron paaftësia e kompanive të pastrimit, që duhet të largojnë pluhurin nga rrugët. Atëherë pse nuk merren masa të rrepta për të siguruar pastërtinë e rrugëve?

Një tjetër nga shkaktarët kryesorë të ndotjes, që me ose pa dashje lihet jashtë vendimit të marrë para pak kohe, është karburanti. Pra, nuk është vetëm vjetërsia e makinës që shkakton ndotjen, por edhe cilësia e benzinës apo naftës, prania në të e ujit, squfurit apo lëndëve të tjera. Por çështja e karburantit nuk merret në konsideratë, pasi në të cënohen interesa goxha të mëdha dhe të ndjeshme që shkojnë përtej dobisë publike të cilësisë së ambientit.

Për rrjedhojë, vendosja e barrës doganore më të lartë, duke u bazuar te vjetërsia e makinës është një veprim arbitrar që në fakt ka pak efekt. Aq më tepër që dihet se një makinë dallon nga tjetra edhe po qe se kanë të njëjtën vit prodhimi. Pra, ka makina të vjetra që janë të mbajtura mirë ose modele cilësore automjetesh të vjetra që nxjerrin më pak tym se makina të tjera që janë më të reja.

Përveçse është veprim diskriminator pa ndonjë dobi të madhe për ambientin, vendimi për të vendosur taksa më të larta për makinat e vjetra është shoqëruar nga një sistem shumë i komplikuar për zhdoganimin. Ky sistem i turbullt do të lërë shumë hapësirë për arbitraritet dhe abuzime tek autoritetet doganore, që veç ka për të shtuar korrupsionin në dogana.

Në fakt, si shihet qartë ky vendim, dëmton interesat e individëve të thjeshtë që kanë ndër mend të blejnë një makinë të lirë, sepse vetëm atë mund t’i lejojnë vetes dhe nuk ka për të sjellë ndonjë ndryshim në ndotjen e Shqipërisë, por thjesht shërben si fasadë e qeverisë për të treguar se ajo po merret me ndotjen. Për të ulur siç duhet nivelin e ndotjes duhet që pikësëpari të merren masa të tjera goxha radikale, mirëpo kjo gjë do të cënonte interesat e shumë personave të rëndësishëm që, falë qeverisë së sotme, janë bërë pothuaj të paprekshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›