E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Në kërkim të Mimozës prej katër ditësh

28/01/2005  

Kallzimi nuk ka vajtur në prokurori, ende asnjë adresë për nënën e humbur

TIRANË - Zhdukja e nënës së katër fëmijëve, Mimoza Susaj, është pranuar dje nga zyrtarët e policisë, të cilët kanë pohuar se Komisariati nr.1 i policisë së Tiranës, ka filluar hetimet rreth ngjarjes. Dy ditë më parë, gazeta “Metropol” botoi lajmin e zhdukjes së 27-vjeçares Mimoza Susaj, e cila prej datës 25 janar është larguar nga familja pa lënë gjurmë. Komisariati i policisë numër 1 në Tiranë, i cili e ka në juridiksion zonën në të cilën nëna e katër fëmijëve nuk është parë prej katër ditësh, nuk e konfirmoi lajmin dhe as e hodhi poshtë atë. Burime të tjera të policisë, thanë se fotografia e të zhdukurës ishte shpërndarë në pikat e kalimeve kufitare dhe se policia kishte filluar verifikimet për ngjarjen. Zyrtarët e policisë kanë konfirmuar dje nisjen zyrtare të hetimeve për ngjarjen.

Zhdukja

Ylli Martin Gjoni, vëllai 20-vjeçar i gruas së zhdukur katër ditë më parë, bashkë me fëmijët e saj, ka bërë kallëzim në Komisariatin nr.1 të policisë së Tiranës, për humbjen e motrës së tij. Njoftimi i policisë ka qenë i vonuar, pasi të afërmit e gruas së zhdukur, kishin kërkuar për disa orë tek të afërmit dhe miqtë e tyre, duke besuar se Mimoza mund të ndodhej atje, bashkë me katër fëmijët e saj të vegjël. Pas disa orë kërkimesh, të afërmit i kanë humbur shpresat. Pjesa tjetër e familjes i ka vijuar kërkimet tek të afërmit dhe komshinjtë në Shkozë, zonë periferike e Tiranës, ndërsa vëllai i Mimozës ka njoftuar policinë për ngjarjen. Gazeta “Metropol” ka kontaktuar gjatë ditës së djeshme me të gjithë prokurorët e gatishmërisë së kësaj jave për rrethin e Tiranës. Të gjithë u shprehën se nuk janë njoftuar nga Komisariati nr.1 i policisë për ngjarjen dhe se nuk u është kërkuar të japin ndihmë në hetimin e rastit.

Si është larguar

Me një motiv të akumuluar prej kohësh, pasi kishte qëndruar afro dy javë në shtëpinë e familjes së saj, Mimoza Susaj ka marrë katër fëmijet e saj të vegjël dhe është larguar nga shtëpia këto ditë të ftohta, pa lënë asnjë gjurmë nga pas. Sipas hetimeve të policisë, vëllai i Mimozës dhe nëna e saj, kanë qenë duke bërë pazar, në kohën kur Mimoza e ka marrë vendimin për të ikur nga shtëpia. Nëna dhe vëllai i Mimozës janë kthyer në shtëpi pasi kanë mbaruar pazarin dhe mungesa e zhurmës së zakonshme të fëmijëve i ka bërë të besojnë se Mimoza ishte aty afër te ndonjë i afërm apo komshi. Por disa orë kërkime dhe biseda në telefon me të afërmit, kanë qenë të pafat për Ylli Gjonin dhe nënën e tij, të cilët kanë filluar të dyshojnë për zhdukjen pa gjurmë të pesë personave të tyre të afërt. Sipas kallëzimit të bërë në polici nga vëllai i të zhdukurës, më i madhi nga fëmijët është dhjetë vjeç, ndërsa i vogli, sipas familjes, sapo kishte filluar të ecte.

Hetimet e deritanishme

Versionet e para të policisë për ngjarjen, bëjnë fjalë për konflikte dhe probleme familjare të Mimozës. Burimet e policisë, thonë se shkaqet e konflikteve janë të njëjtat si për shumë familje të varfra shqiptare. Hetuesit, gjithsesi dyshojnë se Mimoza i ka nxjerrë në rrugën e zhdukjes katër fëmijët e vegjël me vullnetin e saj, duke dyshuar për një rrëmbim të mundshëm. Vëllai i të zhdukurës është marrë në pyetje nga policia, e cila ka planifikuar të thërrasë edhe anëtarë të tjerë të familjes për të dhënë sqarimet e tyre. Njëkohësisht policia ka në duar fotografitë e gruas dhe gjeneralitetet e fëmijëve, në mënyrë që të verifikojë lëvizjet e tyre apo ndonjë largim të mundshëm jashtë vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›