E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Krimi! Ndoshta ka ndryshuar format e tij”

16/04/2005  Kryepolici i Vlorës, Josif Shtëmbari, i bënë një analizë punës së policisë që ai drejton

VLORË – Për drejtorin e Policisë së Qarkut të Vlorës, Josif Shtëmbari, krimi në zonën që ai drjeton, ka një tkurrje. Këtë “ia vesh” punës së policisë, por ndërsa nuk lë pa përmendur edhe dyshimin se ai mund të ketë “legalizuar” forma të reja.

Në një intervistë për gazetën “Metropol, Shtëmbari nuk lë pa përmdendur rezultatet në luftën antitrafik, ndërsa bënë të ditur edhe disa shifra bllokimesh lëndësh narkotike apo edhe gomone.

Si do e vlerësoni punën tuaj, pas 16 muajsh në krye të policisë së Vlorës?

Me marrjen e detyrës sime në Vlorë, gjeta një situatë disi të veshtirë, ku në harkun kohor të 8 muajve ishin pushuar nga puna dy drejtorë policie të Vlorës, si dhe 6 oficerë dhe policë të thjeshtë. Kuptohet që detyra ime ishte të krijohej një grup dhe një kolektiv, tek i cili mund të mbeshtetesha në punën time.

Është e vërtëtë që krimi është spotuar nga qyteti i Vlorës?

Ka një tkurrje si pasojë e punës së policisë, por edhe ne jemi duke parë se ndofta jemi përballë ndryshimit të formave të krimit.

Si ka qenë niveli i trafikut klandestin dhe i qenieve njerëzore dhe në ç’nivele është sot?

Fenomeni skaf ishte i goditur qysh pas operacionit “Puna”, por në momentet e para të punës time kishte shenja të një rishfaqjeje. Kryesisht këto mjete transportonin sasira të mëdha droge dhe shumë pak klandestinë. Ndërsa sot situata e këtyre fenomeneve është totalisht nën kontroll dhe në ato pak raste tentativash, skafet janë sekuestruar qysh në metrat e para të tyre në det.

Konkretisht, sa ishte numri i skafeve të sekuestruara vitin që shkoi dhe sa është ky numër për këtë periudhë të vitit 2005?

Vitin që shkoi, forcat e policisë kufitare së bashku me policinë e rendit dhe Qendrën Antitrafik (QAT) kanë arritur të sekuestrojnë rreth 14 gomone të vogla të braktisura nga skafistët pas ndjekjes së policisë, si dhe janë dërguar para drejtësisë 8 persona të përfshirë në fenomenin skaf. Ka qenë një ndihmë e madhe edhe bashkëpunimi me drejtësinë, ku dua të përmend skafistët e tragjedisë së 9 janarit, si dhe të tjerë që kanë marrë dënimet e duhura për veprat përkatëse. Kurse për këtë 3-mujor, kemi 3 gomone të kapura dhe një ish-oficer policie i prangosur, me akuzën e implikimit në trafik, si pronar i njërit prej skafeve.

Ndodh që me afrimin e fushates zgjedhore fenomeni skaf gjallërohet. Si do e komentoni këtë?

Është e vërtetë që në këto situata puna e forcave të rendit dyfishohet, por ne kemi marrë dhe po marrim masa që puna e policisë ne këtë situatë të jetë njësoj, duke mbuluar sa më mirë edhe fushatën zgjedhore me problemet e saj.

Si është bashkëpunimi më Qendrën Antitrafik?

Ka qenë i pazëvendësueshëm roli i Qendrës Antitrafik. Shkëmbimi i shpejtë i informacioneve mes QAT dhe policisë Vlorë ka qenë rezultativ, sidomos në pikën e kalimit kufitar në portin e Vlorës, çka ka bërë sekuestrimin e rreth 20 kg heroinë, si dhe rreth 500 kg kanabis sativa, duke arrestuar në flagrancë personat përgjegjes. Në këtë pikë, dua të falenderoj konsullin italian në Vlorë, Lorenco Tomasoni, i cili ka qenë një koordinator i mirë mes palës italiane të QAT dhe policisë së Vlorës, ku së fundi po trajnohen dhe punonjësit e pikave të vrojtimt pranë QAT me ndihmën e specialistëve italianë.

14 gomone

sekuestruar 2004

3 gomone

sekuestruar 2005

20 kg heroinë

sekuestruar 2005

500 kg kanabis sativa

sekuestruar 2005

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›