E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano ofron 4 mijë viza për dibrën

11/06/2005  Kryeministri Fatos Nano u ka premtuar banorëve të Dibrës lehtësim të regjimit të vizave për një kontigjent prej 4 mijë personash, me qëllim punësimin në Itali. Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në qarkun e Dibrës, Ilir Gjoni dhe Sadri Abazi, kreu i qeverisë u ka kërkuar banorëve që të votojnë për kandidatët e PS-së, pasi për katër vitet e ardhshme do të ketë rritje të investimeve. “Një pjesë e familjeve tuaja i marrin të ardhurat nga emigracioni i fëmijëve. Unë angazhohem, për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera me qeverinë italiane, greke dhe me qeveri të tjera të Evropës, që të lehtësojmë regjimin e vizave dhe një pjesë e konsiderueshme e kontigjentit prej 4 mijë vizash për punësim, të premtuar çdo vit në Itali, t’i jepet në prioritet për zonën e veriut dhe zonën tuaj në veçanti”. Gjithashtu, Nano ka sulmuar kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi vendoret e tij po pengojnë projektet për zhvillimin e zonës. Në angazhimet e PS-së për 4 vitet e ardhshme do të jetë, sipas kreut të qeverisë, lidhja e zonës së Dibrës me tregun kombëtar dhe atë rajonal. “Do të ndërhyjmë pranë qeverisë maqedonase për ta zgjeruar fluksin e lëvizjes së banorëve, duke riaktivizuar plotësisht dhe infrastrukturat e doganës së Bllatës. Por, kryesorja është vendosmëria jonë për të ndërtuar rrugën e Arbrit, për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme zhvillimit të zonës suaj dhe për të shkurtuar distancat me kryeqytetin e Shqipërisë dhe me të gjithë Evropën“, tha Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›