Heqja e imunitetit. Sugjerimet e EURALIUS-it për ndryshimet në Kushtetutë
Laureta Rryçi
Tiranë - Sipas EURALIUS-it, për kufizimin e imuniteteve kërkohen ndryshime në Kushtetutë dhe përfshirjen e të gjithë zyrtarëve që gëzojnë sot imunitet përmes saj. Roland Miklau, shef i Misionit të EURALIUS-it dhe Melissa Schraibman, këshilltare ligjore e përhershme e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, kanë dhënë sugjerimet e tyre nëpërmjet një shkrese zyrtare në lidhje me çështjen e imuniteteve. Ata shprehen se kjo çështje kërkon një proces të gjatë dhe të gjerë konsultimesh, por dhe një plan të detajuar, duke përfshirë hartimin e ndryshimeve të duhura të kodeve dhe rregulloreve të Kuvendit. EURALIUS shprehet në mënyrë kategorike kundër trajtimit të diferencuar të këtyre teknikave, pasi ky diferencim nuk do ta zgjidhte problemin. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm raportin e plotë që është përpiluar me nene konkrete që ata sugjerojnë për t’u përfshirë në ndryshime në Kushtetutë.
Raporti
“Ne kemi parë praktikat dhe standardet europiane mbi imunitetin dhe të dyja institucionet tona kanë arritur në përfundimin që ndërhyrjet e duhura në Kushtetutën e sotme të Shqipërisë, të shoqëruara me një proces konsultimi të planifikuar me kujdes dhe me përfshirjen e të gjitha palëve të duhura, është rruga më e mirë për të trajtuar çështjen e imunitetit”, - thuhet të rekomandimet e EURALIUS-it. Në rekomandimet e tyre thuhet se edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1998 ka kaluar me sukses një sërë testesh, dispozitat e saj në lidhje me imunitetin kanë penguar seriozisht hetimet penale, veçanërisht në rastet e dyshimeve për korrupsion, duke mos kontribuar në efektivitetin e ndjekjeve penale. Duke propozuar dhe modele të imuniteteve të kufizuara, sugjerohet Kushtetuta e re e Kosovës, ku ka dispozita më të kufizuara dhe më të përshtatshme, që mund të aplikohen dhe në Shqipëri.
Rekomandimi
“Rekomandojmë kufizimin e imunitetit për të gjitha kategoritë e zyrtarëve, për të luftuar seriozisht korrupsionin. Ka një rëndësi maksimale që kjo të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të drejtpeshuar, duke u dhënë të gjitha palëve kohë të mjaftueshme për t’u dëgjuar. Në të njëjtën kohë që ndryshimet e
Kushtetutës do të diskutohen gjerësisht, duhet të merren në konsideratë masat për mbrojtjen e deputetëve, gjyqtarëve dhe të tjerëve nga ndonjë keqpërdorim i mundshëm dhe për rritjen e besimit të tyre në sistemin e drejtësisë si dhe në
procedura objektive dhe të drejta”, - thuhet në raportin për imunitetin. EURALIUS-i dhe OPDAT-i janë shprehur të gatshëm për të bashkëpunuar me Kuvendin dhe qeverinë në lidhje me këto çështje të rëndësishme.
Sugjerime konkrete mbi nenet që duhen ndryshuar
Sipas EURALIUS-it, ndërhyrjet kërkohen në nenet 73 (deputetët), 126 (gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese) dhe 137 (të gjithë gjyqtarët e tjerë). Ndërkohë që ka edhe dispozita të tjera në Kushtetutë, që i referohen imunitetit të zyrtarëve të caktuar (për shembull, Neni 61/3 për Avokatin e Popullit ose Neni 165/2 për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit), këto dispozita i referohen imunitetit të gjykatësve të Gjykatës së Lartë.
Çështja e gjykatës ku duhet të ngrihet akuza mund të preket gjithashtu. Për mendimin tonë, Kushtetuta e sapomiratuar e Kosovës ka dispozita më të kufizuara dhe të përshtatshme rreth imunitetit dhe do të ishte e pranueshme për t’i përshtatur ato
për gjendjen në Shqipëri. Kështu, për shembull, Neni 73 mbi imunitetin e deputetëve mund të zëvendësohet me diçka të ngjashme me Nenin 75 të Kushtetutës së Kosovës. “Neni 75. 1. Deputetët e Kuvendit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit. Imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive së tyre si deputetë të Kuvendit. 2. Deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij/saj si deputet i Kuvendit, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit”.
Neni 126 mbi imunitetin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese mund të zëvendësohet
me diçka të ngjashme me Nenin 117 të Kushtetutës së Kosovës, që thotë: “Neni 117. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga detyra për vendimet e marra, mendimet e shprehura dhe veprimet e marra brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës të Gjykatës Kushtetuese”.
Neni 137 në lidhje me imunitetin e gjykatësve të zakonshëm (duke përfshirë ata të Gjykatës së Lartë), mund të mbështetet në diçka të ngjashme me nenin 107 të Kushtetutës së Kosovës, si vijon: “Neni 107. 1. Gjyqtarët, përfshirë edhe gjyqtarët porotë, gëzojnë imunitetin nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga funksioni, për vendimet e marra, votimin e bërë, mendimin e shprehur dhe për veprimet e tjera të ndërmarra që janë brenda fushëveprimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre si gjyqtarë. 2. Gjyqtarët, përfshirë edhe gjyqtarët porotë, nuk gëzojnë imunitet dhe mund të shkarkohen nga funksioni, kur të kenë shkelur ligjin me qëllim. 3. Kur një gjyqtar akuzohet ose arrestohet, duhet të njoftohet pa vonesë Këshilli Gjyqësor i
Kosovës”.
Përfundimet e EURALIUS-it për heqjen e imunitetit
1. Imuniteti duhet të kufizohet dhe të qartësohet, dhe kjo çështje duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Një ose disa ligje ose ndryshime ligjore nuk do të jenë të mjaftueshme. Janë të nevojshme ndryshime të Kushtetutës.
2. Ndryshimet kushtetuese nuk duhet të ndërmerren vend e pa vend, por as duhet të shmangen nëse kryhen nëpërmjet një procedure të kujdesshme dhe të drejtpeshuar, me këshillim të përshtatshëm dhe të gjerë. Duhet të ketë një plan të detajuar, duke
përfshirë hartimin e ndryshimeve të duhura të Kodeve dhe Rregullores së Kuvendit.
3. Nuk mund të mohohet fakti që ky është një moment delikat në historinë moderne të Shqipërisë, me tensione dhe mungesë besimi ndërmjet institucioneve e madje edhe brenda tyre. Disa kanë shprehur mendimin se kjo nuk është koha e duhur për të trajtuar çështjen e imunitetit, veçanërisht për anëtarët e sistemit të drejtësisë, por ne mendojmë që një proces konsultimi i menduar dhe i zhvilluar mirë mund të përmirësojë gjendjen. Masat që ndërtojnë besim, si zyrtare, ashtu edhe jozyrtare, gjithashtu mund të zhvillohen më tej dhe duhet të diskutohen si pjesë e procesit.
4. Kur bëhet fjalë për kufizimin e imunitetit, është tepër e rëndësishme që të gjitha teknikat e hetimit, duke përfshirë mbikëqyrjen dhe kontrollet, të jenë të lejueshme pa autorizim. Trajtimi i diferencuar i këtyre teknikave nuk do ta zgjidhte problemin.
Çfarë është EURALIUS
EURALIUS II (Misioni Europian i Asistencës për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri), është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian sipas Programit CARDS 2006 për Shqipërinë. Është vazhdim i drejtpërdrejtë nga EURALIUS-i I, që përfundoi në mesin e muajit nëntor 2007. Ashtu si në EURALIUS-in I, kontraktuesi i Marrëveshjes së re Grant për EURALIUS II është Ministria Federale e Drejtësisë e Austrisë, e cila po zbaton projektin në një konsorcium së bashku me Ministrinë Federale të Drejtësisë së Gjermanisë (për hollësi shih Partnerët e Konsorciumit). Lideri i Misionit është z. Roland Miklau, ish-drejtor i Përgjithshëm për Legjislacionin Penal në Ministrinë Federale Austriake të Drejtësisë.
11 Shkurt 2009