Pragu elektoral. Përqindjet për secilin qark pas ndryshimeve të reja
Shaban Sulçe
Pas ndryshimeve të reja në hartën elektorale dhe në përcaktimin e numrit të deputetëve në të 12 qarqet, pësojnë ndryshim edhe përqindjet e pragut elektoral për pjesën kryesore të qarqeve, ku do të konkurrohet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndryshimet e reja të diskutuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë që të normalizohen përqindjet për qarqe të tilla si Tirana dhe Kukësi, të cilat, ndryshe nga 10 të tjerat, mbartnin nivele ekstreme, 3% qarku i Tiranës dhe 33% qarku i Kukësit. Me ndryshimet e reja, pragu elektoral në Qarkun e Tiranës është rritur në 3.2%, ndërkohë që pragu elektoral në Qarkun e Kukësit ka pësuar një ulje deri në 25%. Surpriza tjetër ka qenë kapërcimi në nivelin 20% të pragut elektoral për Qarkun e Gjirokastrës, ndërkohë që ndryshime ka patur edhe për Beratin dhe Vlorën.
Pragjet
Pavarësisht ndryshimeve të reja në hartën elektorale dhe në numrin e deputetëve për secilin qark, për tre koalicionet konkurruese përkatësisht të udhëhequra nga PD, PS dhe LSI në zgjedhjet e ardhshme, marrja e të paktën një deputeti në pjesën më të madhe të 12 qarqeve ku do të konkurrohet as që do të vihet në dyshim. Kjo pasi niveli i pragut elektoral, sidomos në qarqet e mëdha, do të jetë në nivele të ulëta. Kështu, në 7 qarqet kryesore, përkatësisht në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier dhe Vlorë, pragu elektoral do të jetë më i ulët se 9%. Ky nivel i ulët i pragut elektoral mund të rezultojë inkurajues edhe për koalicionin e katërt, i quajtur “Poli i Lirisë”, ku marrin pjesë LZHK-ja, PDK-ja dhe partia e ish-deputetit të PD-së Spartak Ngjela.
Tirana
Qarku i Tiranës do të shënojë rekordin përsa i përket nivelit të ulët të pragut elektoral në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë qark do të dalin 32 deputetë, ndërkohë që pragu elektoral do të jetë 3.2%, më i ulëti nga 12 qarqet e vendit ku do të konkurrohet mbi bazën e sistemit proporcional rajonal në zgjedhjet e vitit 2009. Kjo përqindje e ulët e pragut elektoral duket se do t’i shtyjë të gjithë kryetarët e partive të vogla, pjesëtare të tre koalicioneve konkurruese, që të betonizohen në Tiranë në zgjedhjet e ardhshme. Por Tirana do të shënojë edhe betejën midis tre liderëve të koalicioneve, Berisha, Rama dhe Meta, të cilët do të konkurrojnë në Tiranë dhe do të përqendrojnë energjitë e tyre në këtë qark për shkak të numrit të lartë të deputetëve që do të mandatohen nga ky qark, 32.
Të tjerat
Pas Tiranës, Qarku i Fierit shënon nivelin më të ulët të pragut elektoral, i cili është 6.25%. Më tej, renditja vijon me Elbasanin 7.1%, Durrësin 7.6%, Vlorën 8.3%, Korçën 8.3 dhe Shkodrën 9%. Por krejt e kundërta do të ndodhë me qarqet e vogla të vendit, ku niveli i pragut elektoral do të kapërcejë deri në shifra të “llahtarshme”. Kështu, rekordin do ta zërë Qarku i Kukësit, duke shënuar shifrën 25% të pragut elektoral. Suprizë është edhe Qarku i Gjirokastrës, ku pas ndryshimeve pragu elektoral ka kapërcyer në shifrën 20%. Përqindje të larta të pragut elektoral shënojnë edhe qarqet Dibër me 16.6%, ndërsa Qqarku i Beratit do të jetë në nivelin 12.5 për qind, ndërsa ai i Lezhës do të kenë nivelin 14.2% të pragut elektoral.
Llogaritja e pragut elektoral
Por si llogaritet kjo përqindje? Numri i votuesve të regjistruar në Qarkun e Tiranës është 660 505. Mbi bazën e këtij numri, Qarku i Tiranës do të ketë 32 deputetë në Parlamentin e ardhshëm. Duke qenë se pjesëmarrja në votime tradicionalisht (jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë) ka qenë rreth 50%, atëherë pritet që numri i votave në këtë qark të jetë 330 252. Duke e pjesëtuar këtë numër me 32 (numrin e deputetëve), rezultati del 10 320, të cilat janë votat që duhen për të siguruar të paktën një deputet në këtë qark. Shumëzimi i këtij numri me 100 dhe më pas pjesëtimi i shumës me numrin e mundshëm të votuesve përcakton edhe shifrën e pragut elektoral. Pra 10320 x 100= 1 320 000/ 330 252= 3.2%
Qarku Numri i Numri Votues Pragu
votuesve i deputetëve të mundshëm
Berat 150871 8 75435 12.5%
Dibër 116431 6 58215 16.6%
Durrës 265180 13 132590 7.6%
Elbasan 282528 14 141264 7.1%
Fier 327918 16 163959 6.25%
Gjirokastër 112728 5 56364 20%
Korçë 246700 12 123350 8.3%
Kukës 66375 4 33187 25%
Lezhë 135890 7 67945 14.2
Shkodër 218560 11 109280 9%
Tiranë 660505 32 330252 3.2%
Vlorë 257258 12 128629 8.3%
11 Shkurt 2009