E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Do të mundim papunësinë që mbizotëron në Shqipëri”



Shpalosja e prioritetit të radhës së programit elektoral të Partisë Socialiste, gjatë turit të Rrjetit të Vullnetarëve, është bërë nga kreu i PS-së Edi Rama në takimin e zhvilluar dje në qytetin e Pukës. Në këtë takim, kreu i PS-së u ka premtuar të rinjve se në rast të fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit, objektivi i tij do të jetë lufta kundër papunësisë.
Rama nënvizoi se mbështetja që ai gjen në Pukë e kudo, në çdo qytet e fshat të Shqipërisë, do të bëjë të mundur ndryshimin, do t'i japë dinjitet të gjithë shqiptarëve, por sidomos të rinjve e të rejave. Ai theksoi se arsimimi është politika më e mirë ekonomike dhe se PS-ja e konsideron arsimin dhe punësimin si parësi kryesore të programit të saj. “Do t'i hapim rrugë ëndrrës europiane të marrë peng nga politika e vjetër e pabarazisë që varfëron të papushtetshmit dhe mbingop pushtetarët. Do t'i hapim rrugë ëndrrës europiane të marrë peng nga politika e vjetër e zanatçinjve të urrejtjes e të dasive mes njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, të cilët, prej 18 vjetësh, përçahen e sundohen për interesat e një politike që s'ka shpirt, s'ka sy, s'ka veshë, po veç një gojë të madhe për të premtuar gjëra që jo vetëm pastaj nuk i bën, po as që ka ndërmend t'i bëjë kur i thotë.
Ne do t'i bëjmë gjimnazet e universitetet tona hapësira të dijes, të konkurrencës e të meritës dhe do të garantojmë investimet e çdo familjeje për nxënësit e studentët jo duke dhënë letra pa vlerë që quhen diploma, po duke i dhënë çdo diplome vlerën e saj. Ne kemi bindjen se arsimimi është politika më e mirë ekonomike dhe në 4 vjet do të bëjmë për arsimimin e fëmijëve e të të rinjve aq sa politika e vjetër nuk ka bërë në 18 vjet. Ne do ta mundim parazitizmin e detyruar, duke luftuar kudo e me të gjitha mënyrat me papunësinë dhe s'do të lejojmë që të rejat e të rinjtë të sorrollaten gjithë ditën rrugëve e kafeneve për shkak se s'kanë ku shkojnë, apo të arratisen maleve për në Greqi, apo s'kanë ku punojnë", - tha kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›