Kroacia do të liberalizojë regjimin e vizave me Shqipërinë në fund të vitit
Në vijim të vizitës që po zhvillon në Zagreb, kryeministri Berisha u prit dje në një takim nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiç. Presidenti kroat Stjepan Mesiç i shprehu kryeministrit Berisha mbështetje të plotë për heqjen e vizave midis dy vendeve deri në fund të këtij viti. Duke u ndalur në bashkëpunimin në fushën ekonomike, Presidenti kroat u shpreh se po punohet për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Presidenti Mesiç e informoi kryeministrin Berisha se pala kroate po punon për përfundimin e autostradës transadriatike, si një urë lidhëse midis Europës dhe Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Berisha u shpreh se do të intensifikohet më tej bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe të ekonomisë.
11 Shkurt 2009