E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e imunitetit të Mediut, ja çfarë parashikon Kushtetuta

Intervista/ Konstitucionalisti Njiazi Jaho komenton zhvillimet për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes

Kostitucionalisti i njohur, Njiazi Jaho, në një intervistë për gazetën “Albania”, komenton zhvillimet më të fundit përsa i përket çështjes së heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe deputetit Fatmir Mediu, pas shpërthimit tragjik të Gërdecit. Në këtë intervistë, Jaho, duke iu referuar Kushtetutës, komenton të gjitha procedurat që po e shoqërojnë këtë çështje.

Zoti Jaho, cili është mendimi juaj rreth kërkesës së prokurores së Përgjithshme drejtuar Parlamentit për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, deputetit Fatmir Mediu?
Kërkesa e mësipërme u botua edhe në median e shkruar. Nëse ajo ishte e plotë ose jo, nuk e di. Qysh atëherë asaj i kam hedhur një sy, por nuk jam përqendruar në çështje të veçanta që trajtoheshin në të. Në këto kushte do të ishte gabim të bëje komente apo vlerësime për një problem që nuk e njeh. Më kujtohet se 2, 3 apo më shumë herë, në këtë kërkesë përdorej shprehja se “në aktet dhe dokumentet e administruara evidentoheshin të dhëna, që përbëjnë dyshime të arsyeshme se deputeti Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime që përbëjnë mospërmbushjen e rregullt të detyrës së tij”. Të them të drejtën më kanë bërë përshtypje dy momente. Së pari, kërkesa drejtuar Kuvendit kishte shumë hollësi, sqarime, detaje dhe referime në ligje, akte nënligjore dhe dokumente të tjera. Sipas mendimit tim, ajo mund të ishte më koncize. Së dyti, kërkesa u lexua para gazetarëve, gjë që nuk ishte praktikuar ndonjëherë. Këto dy momente të bëjnë të konkludosh se në përmbajtje të kësaj kërkese nuk kishte të dhëna të karakterit sekret. Përshtypjet janë të sipërfaqshme dhe subjektive. Prokurorja e Përgjithshme, me siguri ka arsyet e veta përse ndoqi këtë praktikë, që në fakt nuk ka asgjë të kundërligjshme.
Ju thoni se kërkesa ju është dukur e gjatë dhe e hollësishme. Si shpjegohet që Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme edhe dokumente të tjera?
Ka mundësi që për Këshillin vetëm kërkesa ishte e pamjaftueshme dhe duke iu referuar nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, ai kërkoi edhe dokumente shoqëruese. Në aspektin ligjor kjo është normale.
Edhe mbasi prokurorja e Përgjithshme ia dërgoi Kuvendit dokumentet shoqëruese ku mbështetej dyshimi i arsyeshëm se z. Mediu kishte kryer veprën e shpërdorimit të detyrës, përsëri Këshilli nuk ishte i kënaqur, madje disa deputetë u shprehën se këto dokumente ishin të njohura për ta. ǒthuhet në ligj për këtë?
Neni 118 i Rregullores së Kuvendit përcakton procedurën që ndiqet, mbasi kërkesa për heqjen e imunitetit i dërgohet Kuvendit. Në këtë dispozitë thuhet se kërkesën dhe dokumentet shoqëruese, kryetari i Kuvendit ia dërgon Këshillit për Rregulloren, Mandatit dhe Imunitetit. Derisa Këshilli, veç kërkesës, disponon edhe dokumentet shoqëruese, vlerësimet e tyre i bën gjatë shqyrtimit të çështjes dhe në përfundim i rekomandon seancës plenare rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale. Kjo është detyra ligjore e këtij Këshilli. Rekomandimi që ai bën shpreh qëndrimin e tij, madje duhet thënë se sipas nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi në Kuvend.
Përse neni 118 i Rregullores parashikon që kërkesa e prokurorit të Përgjithshëm të shoqërohet edhe me dokumentet përkatëse?
Kam mendimin se dokumentet shoqëruese duhet të jenë në funksion të kërkesës, d.m.th. të hedhin dritë, të mbështesin pse të fuqizojnë dyshimin e arsyeshëm se deputeti ndaj të cilit kërkohet autorizimi për ndjekje penale ka kryer veprën penale.
Nuk mund të supozoj përse Këshilli për Rregulloren apo anëtarë të veçantë të tij kanë shprehur pakënaqësinë lidhur me dokumentet shoqëruese të dërguara nga prokurorja e Përgjithshme.
Ndoshta kjo ka të bëjë me të konceptuarit e çështjeve apo të nocioneve juridike në rastet kur kërkohet autorizim për ndjekje penale. Ndoshta Këshilli apo deputetë të veçantë kanë dashur të njiheshin me prova dhe të dhëna të atilla, që sipas tyre vërtetonin akuzën.
Në aspektin ligjor të problemit, kërkesa dhe dokumentet shoqëruese që i dërgohen Kuvendit a duhet të bindin Këshillin e Rregullores dhe Kuvendin se të dhënat apo provat e paraqitura vërtetojnë akuzën?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje e shikoj të nevojshme të sqaroj se autorizimi kërkohet për fillimin e ndjekjes penale. Ndaj deputetit nuk është bërë asnjë hetim. Atij nuk i është komunikuar asnjë akuzë. Pra, në këtë fazë as që mund të pretendohet për prova dhe të dhëna të atilla që do të vërtetonin akuzën. Kur thuhet se “të dhëna të arsyeshme dhe të bazuara për të dyshuar, se është kryer kjo apo ajo vepër penale”, kjo do të thotë se këto dyshime mbas fillimit të ndjekjes penale do t’u nënshtrohen verifikimeve përkatëse nëpërmjet hetimit të plotë, të gjithanshëm dhe objektiv dhe në përfundim do të vendoset dërgimi i çështjes në gjykatë, ose pushimi i saj. Në fakt, autorizimi miratohet nga Kuvendi me qëllim që organi i Prokurorisë të legjitimohet për të zhvilluar hetime.
Pa filluar shqyrtimi i kërkesës të prokurores së Përgjithshme, pavarësisht nga rezervat e shprehura për materialet që i janë dërguar Kuvendit, janë bërë deklarata se imuniteti i zotit Mediu do të hiqet, se ky është qëndrim partiak dhe i grupeve parlamentare. Si i vlerësoni këto deklarata?
Nuk më takon mua të bëj vlerësime apo komente të deklaratave partiake. Preferoj të jap sqarime vetëm në aspektin ligjor. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka të drejtë t’i rekomandojë Kuvendit jo vetëm miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale, por edhe rrëzimin e kërkesës.
Të njëjtën të drejtë me votim të fshehtë ka edhe Kuvendi në seancë plenare. Nëse vendimi i Këshillit të Rregullores dhe votimi në Kuvend do të ishte i paragjykuar, ç’kuptim do të kishte shqyrtimi i kërkesës në zbatim të procedurës të parashikuar në nenin 118 të Rregullores së Kuvendit?! ǒkuptim do të kishin sqarimet e deputetit në Këshillin e Rregullores dhe në seancën plenare?! Derisa është në fuqi neni 73, pika 1 e Kushtetutës dhe neni 118 i Rregullores të Kuvendit, edhe sikur 99% të kërkesave që do t’i drejtoheshin Kuvendit do të miratoheshin. Nuk mund të përjashtohet të themi edhe rasti i vetëm i mosmiratimit të kërkesës për autorizimin e ndjekjes penale.
Në pritje të autorizimit të Kuvendit, a ka të drejtë prokurori të thërrasë dhe të pyesë deputetin Mediu?
Sipas nenit 289 të Kodit të Procedurës Penale, prokurori mund ta marrë në pyetje atë vetëm nëse e kërkon vetë. Kjo do të thotë se për marrjen në pyetje të z. Mediu kërkohen dy kushte: kërkesa e vetë atij dhe predispozicioni i prokurorit (d.m.th. çmimi nga ana e tij) për ta marrë ose jo atë në pyetje. Pa miratimin e autorizimit nga Kuvendi nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim ndaj tij, siç mund të jenë p.sh. kontrollet, këqyrja e personit, njohja, ballafaqimi, përgjimet e bisedimeve etj. Përmbajtja e kësaj dispozite mendon se e bën edhe më të qartë faktin e përmendur më lart se vetëm mbas miratimit të autorizimit i hapet rruga hetimit; se vetëm pas fillimit të ndjekjes penale dyshimet e arsyeshme dhe të bazuara vërtetohen ose përjashtohen.
A ka të drejtë prokurori i Përgjithshëm që në shkresën përcjellëse që i ka dërguar Kuvendit të përmend se ky apo ai dokument është sekret dhe publikimi dhe përhapja e tij nuk duhet të bëhet?
Po, e ka këtë të drejtë. Është prokurori i Përgjithshëm që në rastin konkret çmon nëse ky apo ai akt është sekret. Për këtë bëhet fjalë në disa dispozita të Kodit të Procedurës Penale dhe në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë (shih nenet 103, 160, 279, 287 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenin 6 të ligjit “Për Prokurorinë”). Madje në raste të veçanta edhe zhvillimi i seancave të Kuvendit mund të bëhet i mbyllur, duke e motivuar këtë, nëse kjo kërkohet nga Presidenti i Republikës, kryeministri ose të paktën nga 1/5 e të gjithë deputetëve (shih nenin 79 të Kushtetutës dhe nenin 43 të Rregullores së Kuvendit).
A ka afate për shqyrtimin e kërkesës së prokurorit të Përgjithshëm lidhur me autorizimin për ndjekje penale të deputetit?
Po, ka afate. Ato përcaktohen në nenin 118 të Rregullores së Kuvendit. Kështu, në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së prokurorit të Përgjithshëm, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, brenda katër javëve, duhet të hartojë raportin për në seancën plenare.
Cili është afati maksimal që Kuvendi duhet të vendosë për miratimin apo rrëzimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit?
Afati maksimal është tre muaj. Në pikën 6 të nenit 118 të Rregullores thuhet: “Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale brenda tre muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi”. Kjo nuk do të thotë se Kuvendi, edhe pse mund të ketë të gjitha mundësitë të vendosë më parë, ta shtyjë zgjidhjen e çështjes deri në afatin maksimal.

Intervistoi: Shaban Sulçe

21 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›