Topalli: ”Shërbimet elektronike e luftojnë më mirë korrupsionin”
Në mjediset e Kuvendit është zhvilluar seminari “Përmirësimi i procesit të legjislacionit të reformës ekonomike në Shqipëri”, nga ku kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se reformat ekonomike duhet të përshpejtohen. Sipas Topallit, shërbimet elektronike janë ato që luftojnë korrupsionin. “Ka filluar puna për regjistrimin elektronik të bizneseve, është krijuar Qendra e Regjistrimit të Bizneseve, është vendosur taksa në formë elektronike dhe po ecet përpara me prokurimet në formë elektronike. Besoj se mënyra më e mirë edhe për të luftuar korrupsionin është pikërisht regjimi elektronik i realizimit të shërbimeve të ndryshme, që shteti shqiptar ka për detyrë. Të gjitha këto reforma janë në funksion të një qeverisje më të mirë. Dëshiroj të theksoj dhe bashkëpunimin që Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë procesit legjislativ në tërësi dhe reformave, duke filluar nga momenti i draftimit në kalimin pastaj të të gjitha segmenteve, që parashikon ky proces dhe në konkludimin në punën e Komisionit ekonomik të Parlamentit dhe më tej në seancë plenare”, - tha Topalli.
21 Maj 2008