E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Të rinjtë nuk duhet të qëndrojnë indiferentë ndaj politikës”



Fondacioni "Qemal Stafa", në bashkëpunim me Partinë Laburiste Britanike, ka nisur dje një program intensiv të trajnimeve dhe debateve publike me qëllim zgjerimin e kapaciteteve politike të të rinjve dhe nxitjen e aktivizimin e tyre në politikë duke krijuar gjeneratën e Liderëve të së Ardhmes. Në nisje të këtyre debateve me të rinj ka qenë dhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Këto debate kanë nisur në një prej universiteteve private në kryeqytet, "Marin Barleti". Gjatë bashkëbisedimit me studentët e këtij universiteti, Rama u shpreh se politika duhet të jetë një mjet në duart e qytetarëve. Ai u bëri thirrje të rinjve që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj politikës, por të jenë pjesë e saj. "Asgjë nuk lëviz në drejtimin e duhur për të rejat dhe të rinjtë e sotëm të këtij vendi, në rast se të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi nuk bëjnë diçka, secili në vetvete për t'i bërë gjërat të lëvizin në drejtimin e duhur. Pasi delegimi i fatit tek cilido qoftë është absolutisht një aventurë që mund të ketë një fund aspak të dëshiruar. Është një aventurë që nuk mund t'ia lejojë vetes një njeri i përgjegjshëm për fatin e tij, dhe është një aventurë e cila mund të krijojë pasoja shumë të mëdha. Por politika, çfarë është vet? Ajo është instrument për të ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimin e jetës tënde dhe jetës së
njerëzve rreth e rrotull”, - ka theksuar Rama. Kreu i PS-së ka nënvizuar se duhet ndryshuar përqasja përsa i takon votës, e cila mund të shkoj dëm nëse njerëzit do të kthejnë kurrizin. Ai ka premtuar se PS-ja do të bëjë të mundur që ata për të cilët do të votohet të jenë sa më shumë të vetëdijshëm që pa politikën nuk janë as ata. “Kjo është ajo që bëjnë moshatarët tuaj në të gjitha vendet që funksionojnë demokracitë e mirëfillta. I keni parë fushatat në Amerikë? Pse, çfarë i shtyn ata qindra mijëra të rinj e të reja, që pa asnjë pagesë, pa pasur asnjë njohje personale me Obamën apo Klintonin, apo me këdo qoftë, të bëhen bashkë? Ata i shtyn nga njëra anë kjo vetëdije, që sa më shumë të jemi, aq më shumë mund të ndikojmë që të fitojë ai ose ajo që është më pranë asaj që mendojmë. Nga ana tjetër, sa më shumë të jemi, ai ose ajo që do të fitojë të na ketë parasysh, sepse jemi ne forca”, - u shpreh Rama.

21 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›