Meksi: Procesi i kartave të identitetit, tepër i vonuar

Deputetja e PS, Ermelinda Meksi dje në fjalën e saj në Kuvend e ka vënë theksin tek situata alarmante e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Ajo ka shprehur angazhimin serioz të PS si forcë serioze politike në vend me të gjitha strukturat e saj për të garantuar një proces zgjedhor konform Kodit të ri Zgjedhor. Meksi ka konstatuar se në rrethin e Fierit kanë aplikuar për karta identiteti 11546 zgjedhës nga 197.700 gjithsej, ose rreth 6% kurse qyteti i Fierit kanë aplikuar 5094 në 66.000 votues ose 7 % dhe asnjë deri më sot në këtë rreth nuk ka marrë kartën e identitetit.
Sipas saj, nga 17 njësi vendore në 7 prej tyre si Bashkia Roskovec, Komuna Strum, Kurjan, Kuman, Zharrëz, Ruzhdie dhe Tropojë, nuk ka filluar ende procesi i aplikimit. Ndërsa në rrethin e Lushnjës sipas saj, nga 16 njësi vendore aplikimi ka filluar në 6 njësi nga 16 gjithsej. Meksi deklaroi se në rrethin e Lushnjës janë hapur qendra të aplikimit të kartave të identitetit në qytetin e Lushnjës, Divjakë, komunat Tërbuf, Dushk, Krutje, Gradishtë, ku puna ecën me ritme jo të plotë nga infrastruktura e personeli i pamjaftueshëm. Në 10 komuna ky proces nuk ka filluar akoma, vijoi Meksi. Ajo tha se nga 129000 zgjedhës vetëm 8400 kanë mundur të aplikojnë, pra rreth 7%. Në qytet 6700 në 41000 ose 16%. Deputetja Meksi konstatoi se në rrethin e Mallakastrës ky proces ka filluar vetëm në Ballsh, ku kanë aplikuar 675 vetë nga rreth 9000 votues ose më pak se 7% dhe akoma në asnjë komunë nga 8 që ka ky rreth nuk ka filluar procesi i aplikimit. Ajo me shqetësim tha se në 25 njësi vendore nga 42 që ka qarku, apo më shumë se gjysmën e njësive vendore, nuk janë hapur zyrat për aplikimin me karta identiteti dhe akoma nuk ka një informacion se kur ato do të hapen dhe si do të punohet për të realizuar këtë proces në kohë. Meksi deklaroi se në kushtet e sotme me këto ritme nuk garantohen për periudhën që mbetet pajisjen e zgjedhësve me kartë identiteti, pavarësisht deklaratave optimiste se Ministrisë së Brendshme dhe qeverise për standarde dhe normalitet në këtë proces. Meksi theksoi se për kohën e mbetur që të pajisen me karta duhet të 3-fishohen ritmet e punës në zyrat që po funksionojnë të cilat sot në komuna të ndryshme të qarkut arrijnë nga 25-60 aplikime në ditë. Ajo vlerësoi paksa situatën që paraqitet në qytetet e Fierit dhe Lushnjës, por sipas saj dhe aty aplikimet nuk kalojnë 8 % në Fier dhe 15 % në Lushnjë, të votuesve. Nga ata që aplikojnë 20-30 % janë nga lista pa pasaporta