E Diel, 1 Nëntor 2026

Shaban Memia merr kompetencat e vendorëve për legalizimet

Opozita konteston draftin e mazhorancës
Ndryshimet në ligjin për urbanistikën dhe për legalizimet kanë përplasur përballë njëra-tjetrës mazhorancën me opozitën. Kanë qenë përfaqësuesit e opozitës, ata të cilët  kanë kundërshtuar draftin për legalizimet që përcakton kalimin e kompetencave nga vendori në agjencinë e legalizimeve, me pretendimet se tentativa është rrëzuar nga Kushtetuesja. Për deputetët e opozitës, që e kundërshtuan këtë ndryshim, amendimi cenon kompetencat e qeverisjes vendore. Qëllimi i këtij amendimi, i iniciuar si nismë e një grupi deputetësh të maxhorancës, synon rregullimin e një boshllëku ligjor të krijuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2 shkurtit 2008, që vendosi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe me Kartën Evropiane të Autonomisë Lokale, të disa neneve të ligjit në fjalë. Drafti parashikon kalimin e kompetencave nga pushteti vendor tek agjencia e legalizimeve në rast se zyrat e urbanistikës dhe këshillat e qarqeve nuk dorëzojnë brenda afateve dokumentet që vërtetojnë aplikimet për ndërtimet e paligjshme. Gjykata Kushtetuese konkludoi pak muaj me pare se, planifikimi urban dhe menaxhimi i tokës janë kompetenca të plota dhe ekskluzive të autoriteteve vendore. Edhe në komisionin e ligjeve, opozita kishte deklaruar se projekti binte në kundërshtim me kushtetuesen, por mazhoranca u mbrojt me argumentin se projektligji bën fjalë për procesin e legalizimit dhe jo për administrimin e territorit, kompetencë e Bashkive dhe komunave. Marrja e kompetencave nga pushteti vendor te Agjencia e Legalizimeve, sipas socialdemokratëve është antikushtetuese, për më tepër që Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar një herë këtë tentative. Pavarësisht replikave dhe kundërshtimeve të shumta nga ana e deputetëve të opozitës,  për mos miratimin e këtij amendamenti, kuvendi miratoi me shumicë votash ndryshimin në ligjin "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje".       
Olldashi: Ligji nuk cenon asnjë kompetencë
Sipas ministrit Olldashi, ligji nuk cënon asnjë kompetencë. Gjatë fjalës së tij në parlament, ministri i transporteve ka theksuar se ky propozim ka të bëjë vetëm me riparimin e vendimit të gjykatës. Ligji, nuk cënohet nga këto ndryshime, ka rrëzuar tre paragrafë të nenit shtatë. Ajo që ne propozojmë, është referenca në pika të caktuara, ka theksuar Olldashi, duke përmendur edhe faktin se kompetencat e pushtetit vendor janë të sanksionuara në ligj. Sipas tij, kur pushteti vendor nuk ushtron kompetencat e veta në një rast të veçantë, dikush tjetër duhet ti ushtrojë ato. Nuk është parim i panjohur për struktura të tjera të shteti. Në praktikë ka ndodhur se deri në tetor të vitit të kaluar, njësitë e pushtetit vendor nuk kanë përmbushur ligjet e veta në kuadër të legalizimeve dhe kemi gjetur zgjidhjen e duhur që procesi të ecë përpara, ka theksuar Olldashi. Sipas ministrit të transportit, janë rreth 15 mijë tapi të shpërndara dhe opozita sipas tij bën çdo përpjekje për të dal kundër këtij ndryshimi. Këtë përpjeke të opozitës, ministri Olldashi e ka cilësuar përpjeke të mirëfilltë politike. Në këtë pikë, ka replikuar edhe Skënder Gjinushi, sipas të cilit të drejtën për marrjen e iniciativave të nevojshme e ka Këshilli i Legjilsacionit, dhe jo një grup deputetësh. Sipas tij këtu është vetëm tendenca e qeverisë që në çdo rast ti kalojë një personi të ALUIZNI- t këto kompetenca, sepse ai është krah i qeverisë. ALUIZNI nuk është BE dhe Shaban Memia nuk është Barrozo për të vepruar me analogji edhe në rastin e këtij projektligji, ka theksuar Gjinushi. Edhe LSI ka qenë kundër këtij projektligji, ku Braho duke folur në emër të grupit parlamentar projektligjin jo vetëm që e ka cilësuar të paligjshëm, por sipas tij ai bie ndesh edhe me parimet kushtetuese. Është një precedent i rrezikshëm, nëse organet e pushtetit lokal nuk kryejnë detyrën, të kërkojmë masa penalizuese për ta. Ky precedent është një hap i rëndësishëm për të ecur në rrugë të gabuar, ka theksuar Braho

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›