E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj dhe Ruli, replikojnë për ndryshimin e tarifave doganore

Kuvendi ka miratuar me shumicë votash projektligjin Për një ndryshim në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008, Për miratimin e niveleve të tarifës doganore, pavarësisht debateve të shumta maxhorancë-opozitë, ku kjo e fundit ka shfaqur mendim të kundërt me miratimin e tij. Diskutimi, por edhe vota kundër e opozitës ka qenë e njëjtë edhe në komisionet parlamentare, ku qeveria solli për miratim uljen e taksës së regjistrimit që bizneset i paguajnë pushteti vendor, taksë e cila nga 1 % shkon tashmë në 0.1%. Sipas Partisë Socialiste, me këtë ndryshim qeveria synon të favorizojë disa biznese pranë saj, ndërsa ministri i Ekonomisë theksoi se ulja e taksës nuk cenon buxhetin e vendorëve, por thjesht lehtëson barrën e biznesit. Gjatë replikës së zhvilluar me ministrin e Ekonomisë, deputeti socialist Malaj ka kundërshtuar këtë propozim, duke theksuar për nevojshmërinë e rishikimit të tij. Dëgjova qeveritarin Rulin, qeveria mund të bëjë relacione, tarifa është diçka që vendoset në negociata dhe nuk është pjesë e ligjit, qeveria është e detyruar të bëjë vëzhgime më të plota, ka theksuar Malaj. Sipas tij, kjo tarifë është për të krijuar një formë për studime të plota integrale për komunat dhe bashkitë kryesore, duhet të diskutohej më gjatë dhe të jepej një formulë e plotë. Ka spontanitet, që mundohet të mbrohet në mënyrë alogjike nga pikëpamja ekonomike. Ky është i paarsyetueshëm qartë dhe ka nevojë të rishikohet. Tu krijosh pushtetit vendor burime të drejtpërdrejta është detyrë e qeverisë. Nëse do të ketë interes për të qartësuar se kemi të bëjmë me tarifë, duhet të kemi një shkallëzim dhe jo një shifër fikse, ka theksuar Malaj, sipas së cilit ky ndryshim duhet më pas të konsultohet edhe me pushtetin vendor dhe të miratohet në mënyrë unanime. Ndërkohë që ministri Ruli ka theksuar se synimi nuk është varfërimi në formë taksash pushteti vendor, që i siguron nga grantet që merr. Sipas tij taksa që merret nuk është vlera e projektit, dhe vlera e shërbimit urbanistik përcaktohet nga vet pushteti vendor. Janë shpenzime të kalkulueshme, në vepra të tilla në formë indirekte është shumë e madhe, përfitimi i pushtetit vendor. Ndaj jashtë çdo komenti do të thosha se në vetvete është masë për të ulur një kosto të pajustifikueshme të disa veprave të mëdha, që interesi dhe përfitimi është vetëm publik, u shpreh Ruli. Gjatë seancës së djeshme parlamentare janë miratuar edhe: projektligj Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë, në programin Evropa për qytetarët, si dhe projektligj Për një shtesë në ligjin nr. 8405, datë 17.9.1998, Për urbanistikën, të ndryshuar.

Last Updated on Friday, 20 March 2009 13:50

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›