Heqja e tabelave të G99, Veliaj: Goditje e fjalës së lirë
TIRANE- Një ditë pas prishjes së tabelave të “G99” përgjatë superstradës Tiranë-Durrës nga Inspektoriati i Ndërtimit, ka reaguar kreu i lëvizjes “G99”. Veliaj akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Berisha për këtë akt duke e lidhur prishjen e tabelave me vizitën e Berishës në Kashar ditën e shtunë. Veliaj tha se Berisha nuk e ka problemin me tabelat, por me mesazhet që përcillen nga ato.
“Sot janë hequr në të gjithë Republikën e Shqipërisë të gjithë billbordet e G99. Krejt papritur ku të njëjta billborde mbanin fytyrën e Sali Berishës në zgjedhjet e kaluara. Këto billborde çmoheshin shumë nga zoti Berisha, pasi vetë me urimet më të përzemërta dhe urimet më të sinqerta për ndihmën e çmuar i ka shprehur të njëjtës kompani të këtyre billbordeve që sot i prish. Zoti Berisha nuk ka problem me këto tabela por me mesazhin që ato përcjellin. Fakti që erdhi dhe vizitoi Kasharin, pa këto tabela dhe i shkatërroi kjo tregon që ne paskemi pas të drejtë për të hequr taksën e votës. Berisha godet gjithmonë natën, pasi është fajtorë, kush godet natën është fajtorë.”- tha kreu i “G99” Veliaj.
Kreu i lëvizjes “G99” tha se e njëjta dorë që shkaktoi Gërdecin po godet edhe fjalën e lirë.
“Janë të njëjtët aktorë që bën Gërdecin, i njëjti Inspektoriat Ndërtimi, i cili nuk e vuri re se si po ndërtohej një fabrikë vdekje, por vuri re menjëherë një tabelë të “G99”, e cila kërkonte që shqiptarët të votonin falas. Zoti Berisha sado të ndryshoj qimen, por s’mund të ndryshoj dot zakonin e tij”- theksoi Veliaj.
Erjon Veliaj, tregoi për mediat edhe vendimin e Inspektoriatit të Ndërtimit, vendim i cili lejon Lëvizjen “G99” për të vendosur tabelën në një kodër në afërsi të Kasharit, ku të gjitha tabelat e tjera sipas Veliaj nuk kanë një leje të tillë. (a.r/news24/balkanweb)