E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e vizave, Olldashi: Zyra informacioni ne çdo port te vendit

Liberalizimi i vizave për shqiptarët është rezultat i finalizimit të punës së të gjitha strukturave të shtetit. Kështu pohoi dje ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi gjatë një takimi në Durrës, me drejtuesit e portit të këtij qyteti, atij të Vlorës dhe Sarandës. “Duhet të ruajmë standardet që kemi arritur, cilësinë e shërbimit dhe duhet të ushtrojmë veçanërisht gjatë periudhës së parë të liberalizimit të vizave, një funksion shtesë që nuk e kemi pasur më parë si administratë, funksioni ndihmës karshi qytetarëve. Duke marrë parasysh se në portet tona lëvizin po aq sa në aeroportin “Nënë Tereza”, pra 1 milion e 300 mijë pasagjerë që lëvizin çdo vit. Rritja e këtij numri nuk duhet të na çojë në uljen e standardeve”, - tha Sokol Olldashi, ministër i Transporteve. Kreu i Ministrisë së Transporteve kërkoi që në çdo vendkalim kufitar, recepsion dhe ambienteve të tri porteve të vendit, përveç fletëpalosjeve informuese për qytetaret, të ketë edhe punonjës që të shërbejnë në zyra informacioni për të gjithë personat që do të duan të dinë çdo gjë rreth lëvizjes së lirë. Olldashi theksoi se kjo liri e pakufizuar duhet te mirëpërdoret, ndërsa në lidhje me strukturat që operojnë në porte, dogana, ai u shpreh se ato duhet te kenë standarde dhe shërbim cilësor ndaj qytetarëve. Lëvizja e lirë ndërkohë duket se ka rritur numrin e personave, që kanë prenotuar për të udhëtuar me tragete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›