E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha takon ambasadorin e ri te SHBA-se

Në një takim mirëseardhjeje, ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka pritur ambasadorin e ri të SHBA-së, z. Aleksander Arvizu. Duke e uruar për fillimin e detyrës në Tiranë, Basha i shprehu ambasadorit Arvizu mirënjohjen e veçantë të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për kontributin dhe ndihmën e qeverisë së SHBA-së për modernizimin e policisë shqiptare. Ministri Basha e ka informuar gjerësisht ambasadorin Arvizu mbi rezultatet e arritura nga Shqipëria në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të narkotikëve dhe trafikut të qenieve njerëzore. Ndërsa për sa i përket situatës së krijuar nga përmbytjet natyrore në qarkun e Shkodrës, Basha informoi ambasadorin e ri se për përballimin e situatës u angazhuan fuqimisht të gjitha strukturat shtetërore, të cilat po vijojnë punën e tyre në terren. Ndërkohë që ambasadori Arvizu ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian si dhe përshëndeti fillimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen. Arvizu u shpreh se lëvizja e lirë nuk ishte dhuratë, por fryt i përpjekjeve dhe reformave të ndërmarra për përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksander Arvizu i ka shprehur ministrit Basha vullnetin e qeverisë amerikane për të promovuar dhe mbështetur forcimin e institucioneve ligjzbatuese dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›