Shantazh 72-vjeçarit, 5 vjet burg vjehrres dhe dhendrit
Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi fajtorë dhe kërkoi dënimin me 5 vjet burg dhe 1 milion e 200 mijë lekë gjobë për dy të pandehur, përkatësisht vjehërr dhe dhëndër, të akuzuar për veprën penale të shantazhit ndaj një të moshuari. Sipas akuzës, të pandehurit Genci Kajtalli dhe Florika Haxhiaj (Beja), në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Në hetimin e saj, prokuroria pretendon se ka provuar veprimet shantazhuese të të dy të akuzuarve ndaj një biznesmeni 72- vjeçar nga Vlora. Sipas akuzës, më 5 nëntor të vitit të kaluar, një burrë 72-vjeçar nga Vlora, me inicialet N. L. kallëzoi në polici ngjarjen, ku, sipas tij, ai ishte dhunuar, zhveshur dhe më pas fotografuar me dhunë, nga dy persona me të pandehurën Florika Haxhiaj. Këtë autorët e kanë përdorur për t'i kërkuar 1 milion lekë të vjetra në formë gjobe të moshuarit, pronari i një lokali në Ujin e Ftohtë pranë vendit të njohur me emrin "Kalaja". Duke qenë se njiheshin prej vitit 2001, Haxhiaj, në shtator të 2007-s, i ka kërkuar 50 mijë lekë të reja borxh, pasi i duheshin për shpenzimet gjyqësore, duke qenë se ishte në divorc nga i shoqi. Më pas, e pandehura i ka marrë edhe sërish 10 mijë lekë të reja, në prani të bashkëshortes së të dëmtuarit N. L., pavarësisht se paratë kishin vite që ishin marrë nga e akuzuara, ajo nuk po denjonte t'i kthente.