Berisha: Policet, gardiane te rregullave te zones Shengen

15 dhjetor, pa viza ne BE. Berisha: Jo krim shqiptar ne Evrope. Analiza vjetore, Berisha pergezon punen e Policise se Shtetit
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje që Policia e Shtetit të kthehet në një mekanizëm efiçent për zbatimin rigoroz të rregullave të zonës Shengen nga qytetarët shqiptarë pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave. Gjatë fjalës së mbajtur në analizën vjetore të punës së policisë për vitin 2010, Berisha ngulmoi për një plan konkret masash nga Policia e Shtetit për zbatimin e rregullave të zonës Shengen nga qytetarët shqiptarë që shkelin në këtë hapësirë. “Ju takon juve të jepni garanci për një bashkëpunim, në mënyrë që qytetarët e vendeve evropiane të mos kenë shqetësime”, - pohoi Kryeministri Berisha. Ai shprehu bindjen se Policia e Shtetit do të përkushtohet për një kontroll të plotë të kufirit detar, ajror dhe tokësor. Një ditë para liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, Kryeministri Berisha u kërkoi strukturave të policisë hartimin e një plani të ri masash më qëllim moseksportimin e krimit në vendet e BE-së. Në analizën vjetore të Policisë së Shtetit kreu i qeverisë theksoi se nuk do të tolerohet asnjë lloj shkeljeje e këtij vendimi për të dëmtuar qytetarët e vendeve të tjera. “Qeveria është e vendosur të mos tolerojë, të mos pranojë, qoftë dhe abuzimin më të vogël të ndonjërit me këtë vendim të BE-së. Ky vendim kërkon një plan të ri konkret masash për t’iu përgjigjur me efiçencën më të madhe të këtij bashkëpunimi. Në çdo vend ka kriminalitet. Asnjë vend, asnjë qeveri nuk ka autoritet të marrë kriminalitet shtesë për qytetarët e vendit të tij”, - tha Berisha.
Ai urdhëroi shtimin e kontrolleve në kufijtë detarë, ajrorë e tokësorë. “Ju takon juve të jepni garanci për një bashkëpunim, në mënyrë që qytetarët e vendeve evropiane të mos kenë shqetësime. Në çdo vend ka kriminalitet dhe asnjë qeveri tjetër nuk ka pse të marrë përsipër edhe kriminalitetin e një vendi tjetër”, - nënvizoi Berisha. “Do të bëjmë çdo gjë, që krimi të mos mund të përdoret në dëm të interesave të qytetarëve të vendeve të tjera”, - vazhdoi Kryeministri, duke i garantuar mbështetjen që qeveria do t’i japë gjithmonë policisë. Kryeministri vlerësoi përparimet e policisë në luftën kundër drogës, por kujtoi se u takon atyre qëkur “të ndalojnë kamionin me drogë, të ndalojnë dhe drejtuesin e automjetit”, për të cilin shpesh raportohet se është larguar në drejtim të paditur. “Doganierit mund t’i shpëtojë drejtuesi, pasi gjatë kontrollit të automjetit për drogë ai mund të jetë larguar, por jo juve”, - saktësoi Berisha.Gjithashtu, ai kërkoi objektivitet në parandalimin e aksidenteve. Kreu i qeverisë kërkoi nga Policia e Shtetit të vendosë mesataren e vendeve të BE-së si objektiv sa u takon aksidenteve rrugore. Në lidhje me masat e sigurisë gjatë sezonit turistik, Kryeministri tha se duhen programe të detajuara për të garantuar vizitën e turistëve në vendin tonë që ata të kthehen të sigurt në vendet e tyre. Kryeministri Berisha përgëzoi Policinë e Shtetit për përkushtimin dhe arritjet e saj gjatë këtij viti, në përmbushjen e standardeve të kërkuara në realizimin e objektivit madhor, lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptare në Bashkimin Evropian dhe në luftën kundër krimit të të gjitha llojeve. Në fjalën e tij, Kryeministri evidentoi arritjet në punën e Policisë së Shtetit gjatë këtij viti dhe u fokusua në disa çështje, për të cilat Kryeministri kërkoi angazhim maksimal dhe përparësimin e tyre në punën e Policisë së Shtetit.