Analiza e policise: Ne nje vit goditem 50 grupe kriminale

Po gjate vitit 2010 strukturat e Policise se Shtetit kane permiresuar legjislacionin e Policise se Shtetit, ne perqasje me standardet e vendeve te BE-se
Në luftën kundër krimit të organizuar gjatë këtij viti, spikatën mjaft reforma si ajo e Policisë Rrugore apo ajo e ngritjes së strukturës së luftës kundër aseteve kriminale, në kuadrin e ligjit antimafia etj. Këtë fakt e ka pohuar edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë analizës vjetore të Policisë së Shtetit. Ai ka theksuar më tej se gjatë vitit që po mbyllim, ky institucion ka shënuar mjaft arritje. Sipas tij, referuar bashkëpunimit me jashtë, vendi ynë përmendet ndër 5 vendet e rajonit më aktive në operacionet e Interpolit dhe se së shpejti, vendi ynë do të jetë i pari nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që do të bëhet pjesë e Ppolicive Evropiane, Europol.
Për këtë vit policia shqiptare ka pasur si prioritet të saj, luftën kundër krimit, në veçanti kundër atij të organizuar, rritja e nivelit të sigurisë publike. Por një nga pikat kryesore që ishte vendosur nga Policia e Shtetit, që u arrit të realizohej me sukses ishte realizimi në kohë i detyrimeve të parashikuara në Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Duke bërë të mundur edhe plotësimin e pyetësorit për këtë proces të rëndësishëm si dhe udhëzuesin për liberalizimin e vizave me vendet e zonës Shengen. Në fjalimin e tij drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, e ka cilësuar si më të suksesshmin për shqiptarët, të cilët do të lëvizin të lirë në vendet e zonës Shengen, pa kaluar kalvarin e radhëve të gjata për një vizë. “Kontributi që shërbimet e Policisë së Shtetit kanë dhënë gjatë procesit për liberalizimin e vizave, ka qenë i mirë vlerësuar, prandaj organizata e policisë dhe punonjësit e saj e përjetojnë me një krenari të ligjshme këtë sukses”, - u shpreh Burgaj. Po gjatë vitit 2010 strukturat e Policisë së Shtetit kanë përmirësuar legjislacionin e Policisë së Shtetit, në përqasje me standardet e vendeve të BE-së.
Narkotikët
Gjatë vitit 2010, janë arritur rezultate të ndjeshme në drejtim të goditjes së rrjeteve kriminale që merren me shpërndarjen e heroinës. Vendet kryesore të destinacionit për trafikun e heroinës kanë qenë Greqia dhe Italia. Nga analiza në krahasim me vitet e mëparshme ka rënë ndjeshëm sasia e drogave që transitohen nëpërmjet Shqipërisë për në drejtim të Greqisë dhe Italisë. “Kjo konfirmohet edhe nga statistikat e dërguara zyrtarisht nga pala Italiane”, - tha Burgaj. Strukturat e luftës kundër narkotikëve kanë kryer 45 operacione dhe kanë goditur 47 grupe kriminale të trafikut e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Njëkohësisht këto struktura kanë kryer 33 operacione ndërkombëtare, ku vlejnë për t’u përmendur 2 operacionet e tipit “Dorëzim i kontrolluar”, ai i “Kontejnerit latin” dhe “Motorino” të realizuara në bashkëpunim me prokurorinë dhe autoritetet gjyqësore të Holandës dhe të SHBA-së. Nga këto operacione u sekuestruan sasi të konsiderueshme kokaine dhe u arrestuan 6 autorë. Një drejtim tjetër i antidrogës ka qenë marrja e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Krimet e rënda
Lufta kundër krimeve të rënda është përqendruar në parandalimin e kryerjes së akteve terroriste dhe krimeve të rënda kundër personit e pronës si dhe goditjen e grupeve kriminale me këto tendenca. Për realizimin e këtyre synimeve janë kryer 16 operacione policore për goditjen e grupeve kriminale me tendencë vrasjeje, vjedhje me armë e dhunë dhe arrestimin e autorëve. Në fushën e krimeve të rënda kundër personit janë evidentuar 574 vepra penale e zbuluar 524 prej tyre, janë implikuar 699 autorë nga të cilët 339 janë arrestuar dhe 205 janë në kërkim. Për këtë vit janë evidentuar 846 vepra penale të rënda kundër pronës dhe janë zbuluar 566 ose 67% e tyre ku janë implikuar 679 autorë, nga të cilët 268 janë ndaluar dhe arrestuar, 348 janë ndjekur në gjendje të lirë dhe 63 autorë janë në kërkim. Gjatë këtij viti janë kapur 1920 persona të kërkuar që u janë fshehur organeve te drejtësisë për shumë kohë.
Vrasjet
Janë 103 vrasje të ndodhura, të cilat janë cilësuar si vrasje me dashje, deri tani policia ka arritur që të zbulojë vetëm 83 prej tyre. Ndërkohë që gjatë këtij viti janë zbuluar edhe 14 vrasje të vjetra, të cilësuara si të pezulluara. Gjatë 2010-s, janë rreth 200 vrasje të mbetura në tentativë nga të cilat janë zbuluar 183.
Trafikimi
Nga analiza e bërë e Policisë së Shtetit kanë rezultuar se janë evidentuar gjithsej 453, të cilat u përkasin trafikimit të personave, femrave, të miturve, mjeteve motorike, armëve, shfrytëzimit të prostitucionit etj. Nga policia janë realizuar 39 operacione policore për parandalimin dhe goditjen e veprave penale të trafikut të paligjshëm, prej të cilave janë goditur 21 grupe kriminale si dhe janë kryer 4 operacione ndërkombëtare. Si rezultat i veprimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda janë paraqitur në gjykatë 10 kërkesa sekuestrimi për pasuri që përllogariten rreth 6 milionë euro.
Parandalimi i aksidenteve
Riorganizimi i shërbimit të Policisë Rrugore ka mundësuar që të gjitha kapacitetet të drejtohen në mënyrë të centralizuar. Ndërkohë që situata e ngjarjeve aksidentale në rrugë në shkallë vendi kanë ndodhur 1416 aksidente automobilistike, ku kanë humbur jetën 316 persona, janë plagosur rëndë 342 persona dhe 1226 të plagosur lehtë. Rritja e intensitetit të lëvizjes dhe qarkullimit në trafik, veçanërisht gjatë periudhës së verës është konkluduar pas një analize si një nga shkaqet kryesore të rritjes së aksidenteve.
“Shengen”
Për të bërë një menaxhim të integruar të kufijve sipas standardeve Shengen
Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, gjatë këtij viti analizues, ka bërë përmirësime cilësore në metodën e punës duke rritur cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe konkretisht janë marrë këto masa: Rritja e përmirësimi i standardeve gjatë kontrollit kufitar e cila synon në arritjen e standardeve apo përmirësimin e tyre në këto drejtime kryesore. Në menaxhimin e kalimit legal të shtetasve, mallrave dhe mjeteve e në përpunimin në kohë të dokumentacionit të shtetasve dhe në luftën për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve ilegale qe zhvillohen nëpërmjet kufirit shtetëror.
Forcimi i mbikëqyrjes së vijës kufitare dhe thellimi i luftës kundër krimit ndërkufitar.
Plotësimi i standardeve të kërkuara për kontrollin e të huajve në territor. Për të plotësuar këtë pikë në zbatim të ligjit “Për të huajt” gjatë vitit 2010, janë pajisur 3361 shtetas të huaj me leje qëndrimi dhe u është refuzuar kërkesa për vizë 381. Gjithashtu, janë lëshuar dhe ekzekutuar 96 urdhra largimi për shtetas të huaj si dhe u është refuzuar hyrja në territorin e Shqipërisë 480 shtetasve të huaj. Gjatë vitit 2010, janë kthyer në Shqipëri, mbështetur në Marrëveshjet e Ripranimit me Komunitetin Evropian dhe me shtete jo anëtare të BE-së, rreth 53. 119 shtetas shqiptarë.
Gjate këtij viti është bërë një punë e mirë në drejtim të bashkëpunimit me agjencitë e tjera që operojnë në kufi si me shërbimin doganor, shërbimin fito-sanitar, kapiteneritë e porteve dhe agjencitë e tjera shtetërore e private që operojnë në kufi.