E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Shqiptaret, jo dyndje drejt zones Shengen

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, shpreh bindjen e plotë se shqiptarët do të dynden drejt zonës Shengen, por do të dinë të respektojnë kohën e qëndrimit në vendet e BE-së.

Lëvizja e lirë, sipas tij, është një moment historik për ta, është një moment ku përkatësia e tyre evropiane tashmë preket me dorë e do ta ndiejnë një pjesë më të madhe të Evropës në vetvete dhe në mundësinë e tyre për të qenë pjesë e saj për të udhëtuar të lirë në hapësirën e Shengenit dhe për t’u ndier qytetarë të Evropës së bashkuar. Për sa u përket ikjeve masive, Haxhinasto shprehet: “Këto janë vetëm thashetheme, ndaj dhe nuk preferoj t’i komentoj. Por, ajo që është racionale në pyetje është: A ka flukse apo ka pasur flukse ku janë realizuar regjime të reja vizash siç është rasti konkret me Shqipërinë? Ka pasur për Maqedoninë, për Serbinë. Në rastin e Shqipërisë ka pasur një fushatë shumë intensive të informimit publik dhe qytetarët e dinë shumë mirë se ç’do të thotë të udhëtosh pa vizë dhe cilat janë detyrime. Unë jam i bindur se qytetarët shqiptarë do të dinë të sillen si evropianë, pra të respektojnë kohën e qëndrimit në cilindo vend të hapësirës Shengen”. Por apelon: “Apeli tashmë është i qartë. Vërtetë kjo është një ditë historike, një ditë shumë e rëndësishme, është gëzimi i një të drejte njerëzore dhe themelore, por ky është dhe një detyrim i të gjithë respektimit të të gjitha rregullave të lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen. Qytetarët së pari duhet të kenë një pasaportë biometrike, të respektojnë kohën e qëndrimit në të gjitha shtetet që i përkasin hapësirës Shengen, përndryshe do të ketë sigurisht penalitete. Penalitetet fillimisht janë individuale, ku u hiqet e drejta të gjithë shkelësve deri në 5 vjet dhe në qoftë se fenomeni është i përhapur (që unë nuk e mendoj në asnjë rrethanë), atëherë mund të ketë penalitete kolektive në sensin që mund të kthehet regjimi i mëparshëm i vizave”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›