E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e vizave, tulla e fundit e murit që ndan shqiptarët nga Perëndimi

Në këtë aktivitet të rëndësishëm përkujtohet ngjarja më vendimtare për Shqipërinë dhe gjithë vendtet e Europës, vendet ish komuniste, rënien e Murit të Berlinit. Fondacioni “Konrad Adenauer”, institucion-bashkëudhëtar i demokracisë europiane, të rifillojë aktivitetin e tij në Tiranë dhe të bëhet pararojë e këtyre aktiviteteve të cilat përkujtojnë në mënyrë objektive të kaluarën jo fort të largët të kontinentit evropian. Para dy vitesh e gjysmë, në detyrën e ministrit të Jashtëm, u takova me drejtues të lartë të fondacionit, ku u diskutua për mundësinë e hapjes së fondacionit në Tiranë dhe sot kam kënaqësinë e veçantë të jem dëshmitar i funksionalizimit të plotë të kësaj nisme.
Vetëm pak ditë kaluan nga përkujtimi i 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Kjo ngjarje e rëndësishme për të gjithë Europën dhe më gjerë u përjetua me një sentiment të madh edhe në Shqipëri. Pavarësisht se Muri i Berlinit binte në Berlin dhe në vende të tjera në Europë shumëkush mendonte se ajo do të mbetej një kopsht i izoluar, fatmirësisht kjo nuk ndodhi. Jo më shumë se një vit më vonë, si shkak i protestave të studentëve shqiptarë, të mbështetura fuqimisht nga intelektualët, muri i Berlinit ra edhe në Tiranë, pluralizmi politik u jetësua dhe partitë politike shembën komunizmin e diktaturën dhe nisën rrugëtimin e Shqipërisë drejt aspiratës së saj  europiane.
Nuk është kjo vetëm veçantia e parë e Shqipërisë në raport me murin e Berlinit. Ndonëse nga vendet e fundit, Shqipëria pati edhe një veçanti tjetër. Në vrullin e saj për të fituar kohën e humbur, me nismat e saj politike, me reformat e gjithanshme, ajo arriti të transformohej në një kohë fare të shkurtër në njërin nga vendet me ritmet më të shpejta të reformave, në njërin nga vendet që përqafuan liritë e tregut, ato të qytetarëve dhe të njeriut, në vendin e parë i cili aplikoi për partneritetin për paqe, duke konsoliduar atë që do të bëhej perspektiva euro atlantike e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.  
Sot, njëzet vjet më vonë, mund të konstatojmë se Muri i Berlinit ka rënë në të gjithë dimensionet, format e tij në Shqipëri, rreth saj dhe në Ballkanin Perëndimor. Ka rënë një mur i cili ndante padrejtësisht një komb, me pavarësinë e Kosovës, ka rënë Muri i Berlinit, i cili u ngrit me shpejtësi në dekadën që ndoqi vitin 1990, nëpërmjet shkatërrimit të komunizmit në Jugosllavi, por edhe nxitjes dhe urrejtjes ndëretnike.
Sot, Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, është një vend i cili së shpejti pret konfirmimin e statusit të vendit-kandidat për anëtarësim të plotë në BE, pasi ka konfirmuar nga të 27 parlamentet e vendeve anëtare marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si kontrata e fundit e marrëveshjes para anëtarësimit përfundimtar të saj në këtë organizatë.
Por ka mbetur akoma një nga kujtesat më të hidhura të Murit të Berlinit, e cila veçanërisht për qytetarët e Shqipërisë ka një senjifikancë (domethënie), ajo e imobilitetit, liberalizimi i vizave - heqja e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe Shqipërinë në vecanti. Dhe kjo pengesë përbën edhe tullën e fundit të këtij muri.
Dje Parlamenti Europian, në një vendim historik, i kërkoi komisionit të Këshillit të Ministrave që Shqipërinë, së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, t’i rendisin në listën e bardhë të vendeve Shengen, duke kërkuar që konfirmimi përfundimtar për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, të bëhet menjëherë pas konfirmimit të kritereve teknike. Kam kënaqësinë e veçantë sot, nga pozita e ministrit të Brendshëm, te konstatoj se kjo nismë nuk vjen si një surprizë, ajo vjen si një konstatim i Parlamentit Europian për progresin që Shqipëria ka bërë nga periudha e fundit e inspektimeve të KE-së e deri sot. Më lejoni t’ju informoj - me shpresën se ky informacion i fundit do t’ju shërbejë - se që nga dita e djeshme, mbi çerek milioni shqiptarë disponojnë pasaportat biometrike. Në vetëm katër muaj, Shqipëria ka realizuar një hap gjigand përsa i përket këtij kushti themelor dhe nga më kryesorët për liberalizimin e vizave.
Para dy javësh, në të gjithë pikat e kalimit kufitar është instaluar një sistem i kontrollit të kufirit, analog me ato të vendeve “Shengen”, ndërkohë që brenda dy javësh pritet instalimi i sistemeve analoge të kontrollit të kufirit si dhe i veprave kriminale në të gjithë drejtoritë e Policisë në vend.
Duke respektuar praktikën europiane dhe një nga kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, kontrolli i Bregdetit, ka kaluar nga një funksion ushtarak në një funksion plotësisht civil, i cili do të përmirësojë dhe do të konsolidojë praktikën e shkëlqyer shqiptare, e cila në katër vitet e fundit arriti të reduktonte mbi 95 % trafiqet e paligjshme transadriatike nëpërmjet vijës bregdetare shqiptare.
Eshtë e qartë se Shqipëria në këto pesë muaj që nga inspektimet e fundit të KE-së ka plotësuar një nga një të gjitha kriteret e udhërrëfyesit. Vetëm kjo është shtysa që ditën e djeshme Parlamenti Europian i kërkoi Këshillit të Ministrave ta rendisë Shqipërinë tok me vendet e tjera. Ne presim që ky konfirmim në nivel teknik të kryhet sa më shpejt nga ekspertët e KE-së.
Por nuk duhet të ketë sot asnjë dyshim se Shqipëria, në tërësi i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave dhe po punon për përmbushjen e atyre pjesëve të mbetura, të cilat janë josinjifikante. Jo vetëm kaq, në këtë përpjekje të përshpejtuar të Shqipërisë për të përmbushur kushte e kritere, për të ndërruar sisteme dhe zbatuar reforma që gradualisht janë ndërmarrë nga vendet e tjera në dekadën që kaloi, ne sot gjendemi në një situatë ku secili prej sistemeve tona është qartësisht më modern, më i përparuar dhe më efikas se cilido prej sistemeve prezent në Ballkanin Perëndimor, i krahasueshëm madje edhe me disa vlera teknike superiore ndaj sistemeve të praktikuara në zonën Shengen.
Shpreh bindjen se ky proces, i cili politikisht ka mbështetjen e plotë të të gjitha vendeve të BE-së do t’i afrohet së shpejti fundit, pasi Shqipëria ka përmbushur në tërësi kriteret për liberalizimin e vizave dhe është në përmbyllje të këtij procesi.
Me rënien e murit të vizave, qytetarët shqiptarë përfundimisht do të realizojnë atë ëndërr, e cila u bë lajtmotivi i jetës së tyre për liri dhe demokraci “Ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Europa”, t’i bëjmë shqiptarët të ndihen europianë e dinjitozë, duke lëvizur të lirë në Europën e bashkuar.

Fjala e mbajtur nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha në seminarin e bashkëorganizuar nga Instituti i Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi”, me temë “Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe Shqipëria”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›