Karikatura politike - Edvini kujton ’97-n, në vendin që e ka kuptuar i pari se PS duhet braktisur njëherë e mirë
Haxhiqamilizmi ka hasur braktisjen e plotë dje, në qytetin e Vlorës, kur Rama foli për vrasje e protesta pa ligj, duke fshehur hilen e vjetër të një politike që s’e ka problem për Partinë Socialiste dhe shpërndarjen e saj të afërt, por që interesohet vetëm për interesat ekonomike të klanit të tij privat
Shpura e spekulantëve të pasuruar socialistë zbriti dje në Vlorë, në kuadër të protestave popullore, si shprehje pakënaqësie ndaj zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Përmes një mitingu të zhvilluar, pa mbështetës dhe pa përkrahje, Rama apeloi për anarshi totale kundër pushtetit dhe strukturave shtetërore, madje duke marrë si shembull në këtë rast, vitin e mbrapshtë dhe të dhimbshëm të ‘97-s. Gjithkush është i vetëdijshëm se pasojat e atij viti janë evidente edhe sot e kësaj ditë, por shpura e nomenklaturës komuniste, po përpiqet ta aktualizojë dhe pse jo të fillojnë mobilizimin e reprezaljeve të para.
Kësisoj, papërgjegjshmëria e Edi Ramës me gërshetimin e lajmit të hidhur mbi prejardhjen e tij komuniste, dje ka arritur kulmin.
Ai tentoi në Vlorë, që të bindë qytetarët se për protestat që po organizon në mbarë vendin, duhet të merret si shembull rebelimi komunist i vitit 1997. Duke folur me superlativa për vitin e mbrapshtë dhe duke heroizuar antishtetërorët e 1997-s, Edvini tregon përsëri një tjetër anë destabilizuese dhe jo vetëm kaq, por shkatërruese për vendin. “Në vitin 1997, historia e piramidave dhe e ngjarjeve të rënda, Shqipëria ishte zhytur në një kolaps ekonomik. I bëjmë thirrje Sali Berishës të plotësojë kushtin e opozitës, në të kundërt do të jetë ai që do të largohet i detyruar nga drejtimi i vendit, përmes zgjedhjeve të parakohshme. I them sot nga Vlora Sali Berishës, se do të fundosesh me turp nga bataku ku po e zhyt përditë Shqipërinë. Por ndryshe nga atëherë, Shqipëria s’do fundoset me ty, sepse po nuk i hape rrugë hapjes së kutive, do i hapësh ti rrugë Shqipërisë. Do duhet të largohesh me zgjedhje”, ishte apeli i kryesocialistit, duke zgjedhur si metodë kërcënimi rebelimin komunist të ’97-s, me dëshirën e tij të ndjekësve më të afërt për një përsëritje të mundshme...
Sigurisht, Edvini nuk është i vetëm në këtë praktikë fatkeqe. Pas vetes ka edhe individë të konsumuar, bile një pjesë e tyre me precedentë penalë ndaj drejtësisë shqiptare. Në mes të apelit për anarshi ndaj shtetit dhe strukturave shtetërore janë edhe disa ish-të djathtë që aktualisht kanë hyrë në grackën politike të Edvinit.
Spartak Ngjela dhe Nard Ndoka vazhdojnë të mbeten rasti më i shëmtuar i shpërfytyrimit politik, të cilët pas dështimit në zgjedhjet e përgjithshme, fituan “azil” te bataku i Edvinit, në mënyrë që të akumulojnë direktivat dhe tentakulat kundër qeverisë.
Pas tyre, renditen të tjerë spekulantë të pasuruar, pasuri e shtuar me metoda ekstraligjore. Listën e apel-bërësve për anarshi popullore e plotëson Erjon Veliaj, Gramoz Ruçi apo edhe Ndre Legisi, të cilët kurrsesi, nuk mund të dalin përtej shijeve dashakeqe të eprorit. Pikërisht këta, formojnë një lob antishqiptar. Ky lob, ky grup i caktuar tashmë armiqësor, nuk shqetësohet për fatet e vendit, në kuadër të anëtarësimit në strukturat euro-atlantike, por se në perspektivën e tyre rebeluese, është avanguard-iteti dhe shpërfillja e strukturave shtetërore.
Në kushtet kur Shqipëria po vlerësohet dhe po konfirmohet në arenën ndërkombëtare si një vend i stabilizuar dhe me pjekuri të theksuar politike, çka ndikon dhe jep fryte në prosperitetin tonë drejt Perëndimit, opozita e Edvinit do të vazhdojë të strehohet rrugëve deri më 20 nëntor, të cilën kryesocialisti e njëtrajtësoi me rebelimin komunist të ’97-s.