E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, qëndrime tendencioze, rrezikon marrëdhëniet mes Shqipërisë e Greqisë

Marrëveshja detare, gazeta greke “Kathimerini” i referohet përsëri rolit dyshues të opozitës 

Marrëdhëniet e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë po rrezikohen nga qëndrimi i opozitës socialiste shqiptare, e cila kundërshton dy marrëveshjet më të rëndësishme që janë nënshkruar vitet e fundit mes dy vendeve fqinje. Njëra lidhet me kufirin detar mes dy vendeve dhe tjetra, me varrezat e ushtarëve grekë që kanë vdekur në vitin 1940 në luftën italo-greke. Kështu shkruan e përditshmja greke, “Kathimerini” në numrin e saj. Gazeta thekson se këto marrëveshje janë nënshkruar nga qeveritë e kryeministrave Karamanlis e Berisha, por nuk janë ratifikuar ende nga parlamentet e Tiranës e Athinës.
Edhe pse u firmosën në mënyrën me serioze zyrtare dhe protokollare, këto marrëveshje rrezikojnë të kthehen në momente krize në marrëdhëniet mes dy vendeve, thekson “Kathimerini” në shkrimin e saj të titulluar “Re të tepërta”.
Sipas gazetës, është e vërtetë që as parlamenti grek nuk i ratifikuar ende ato, por tensioni politik që ka shkaktuar kryesisht marrëveshja për kufijtë detare, nuk ka lënë indiferente dhe ka rritur shqetësimin e Athinës zyrtare.
Opozita socialiste shqiptare dhe aleatët e saj shprehën dyshime të forta, sipas të cilave Greqia “u vodhi” sipërfaqe të konsiderueshme detare gjatë marrëveshjes për kufirin, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Njëkohësisht një pjesë e klasës politike, konsideron se prania e varrezave të ushtarëve grekë në Këlcyrë dhe Bularat nënkupton synime territoriale të Greqisë, ndaj dhe kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër, nënvizon ajo.
Po kështu, gazeta shkruan se në të njëjtën gjatësi vale, disa media të Tiranës, që kanë impakt mbi opinionin publik, e ushqejnë atë me skenarë komplotistë të Greqisë karshi Shqipërisë dhe shqiptarëve. E duke përmendur këto fakte, “Kathimerini” ngre pyetjen se nëse do të priste ndokush që klima dyshuese e krijuar për më shumë se gjysmë shekulli të qartësohej?
“Kathimerini” sjell edhe njëherë në vëmendje se pretendimet historike mes dy vendeve nuk kanë më kuptim, duke pasur parasysh se shumë shpejt edhe Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian.
E keqja është se paragjykimet dhe fobitë nacionaliste, që veçanërisht në Shqipëri përdoren për konsum të brendshëm, rrezikojnë të ndikojnë në imazhin e vendit në Evropë, e përfundon shkrimin e saj kryesor gazeta e njohur e vendit fqinj.
Ndërkaq, tre javë më parë, gazeta prestigjioze “Kathimerini” theksoi se, Socialistët po bëjnë pjesë të lojës së tyre politike marrëveshjen për ndarjen e kufijve me Greqinë, çka ka detyruar parlamentin të shtyjë ratifikimin e saj.
Në shkrimin me titull “Lojërat e socialistëve shqiptarë”, “Kathimerini” thekson se, “Edi Rama nuk shprehu asnjë shqetësim dhe asnjë kundërshti për marrëveshjen, gjatë takimit me ish-kryeministrin Karamanlis në Tiranë në prill të këtij viti”..
Madje sipas saj, “takimi i kreut socialist me ish-kryeministrin grek u zhvillua në një klimë mjaft miqësore”.
Po ashtu, gazeta merr në analizë deklaratat publike të Edi Ramës lidhur me çështjen, duke theksuar se në asnjërën prej tyre nuk shprehet qartë se ku dhe si cenohen interesat e palës shqiptare.
“Kathimerini” sjell në vëmendje gjithashtu edhe deklaratat e kryetarit të Komisionit për Çështjet ligjore në Partinë Socialiste Ylli Manjani, sipas së cilës marrëveshja nuk ka probleme juridike.
Ky qëndrim i Edi Ramës, – shkruhet në artikull - shihet nga analistët si një përpjekje për të fituar kredo politike, duke e bërë atë pjesë të sulmit kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha.
Sipas gazetës kjo lëvizje jo vetëm që ka ushqyer tensionet nacionaliste në vend, por ç’është më e rëndësishme synon të pengojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin e Evropian, duke bllokuar reformat që kanë të bëjnë çështjet e kufirit, marrëdhëniet me vendet fqinje dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›