Hero dhe qytetar nderi, por pa asnjë përfitim financiar
Ismailati 77 vjeç trajtohet me pension të zakonshëm pleqërie
Gani Ismailati është një nga njerëzit me kontribut të çmuar në jetën e vendit dhe qytetit të tij. Baba i dy fëmijëve, të cilët morën rrugë të ndryshme në jetë, ai i gëzohet së bijës dhe arritjeve të saj, ndërsa për të birin do të kishte dashur një tjetër jetë. Për idetë dhe projektimet e tij në ndërtimin e anijeve që e bënë vendin të lërë pas epokën e drurit dhe të renditet ndër vendet prodhuese të anijeve tregtare metalike në monizëm, ai u nderua me titullin “Hero i Punës Socialiste”. Në pluralizëm e vlerësuan me titullin “Nderi i Qytetit të Durrësit”. Në asnjë rast nuk mori ndonjë shpërblim tjetër përpos të ndjerit, i vlerësuar moralisht për punën e bërë. Kujton propozimin që iu bë për punë gjatë një vizite për marrje eksperience në Itali, kur rroga prej 3 milionë liretash ishte një ëndërr dhe pse sot do të dukej e vogël për një inxhinier projektues anijesh të nivelit të tij. Kthehet në kohë dhe kujton se heronjtë e punës para viteve ‘90 kishin të drejtë të kërkonin mundësi të mira studimi për fëmijët, po as kjo nuk iu dha për të birin. Të qenët hero nuk i solli asnjë përfitim as atëherë, por as më pas. Madje të qenët hero u kthye në një vulë ogurzezë për pleqërinë e tij. Ndonëse e meriton një pension të veçantë, nuk mund ta gëzojë. Atëherë kur pushteti lokal i drejtuar nga të djathtët ia dha miratimin për një pension të veçantë që njeriu i punës, të cilin sëmundja e detyroi ta lërë pas pasionin dhe përkushtimin, e meritonte, në qeveri u hodh poshtë. Njerëz që ishin në pushtet e janë ende, u kujdesën të pyesin nëse Ismailati kishte qenë komunist, duke lënë me dashje në harresë të kaluarën e përbashkët të tyre. Nuk ia dhanë pensionin që çdokush në Durrës vlerëson se e meritonte. Jo sepse nuk ka qenë asnjëherë njeriu i politikës, ideologjizmave partiake, po sepse i ka dhënë gjithçka punës dhe vendit. Pa u kursyer dhe gjithnjë fjalëpakë, pa pretenduar, pa bërë zhurmë për meritat e kontributin. Që nga vdekja e së shoqes, del shumë pak. Vetëm sa për të blerë pak gazeta, mes tyre “SHQIP”, duke cenuar disi pensionin e tij mujor. E kalon ditën mes gazetave, një ditari që mban dhe librave që gjenden në tavolinë dhe etazher. Mosha dhe sëmundja që ka kaluar i bëjnë rrengje me kujtesën, por ai nuk do të dorëzohet dhe ditari është bërë shok i tij, ashtu si dhe fëmijët e djalit e vajzës, që janë gëzimi i jetës. Mjalti i mjaltit në këtë shoqëri, që jo rrallëherë lë në harresë heronjtë e vet.
#