Krijimi i flotës së peshkimit dhe fundi i hidhur i kantierit
Historia
Anija e parë 2700-tonëshe mori emrin “Gjirokastra”, për nder të diktatorit
Ndonëse vend bregdetar, gjuetia e peshkut në Shqipëri ishte në nivele tepër të ulëta. E gjithë pasuria ujore e Adriatikut dhe Jonit ishte e pashfrytëzuar, ndërsa popullata vuante mungesën e ushqimeve me origjinë detare. Në të gjithë Mesdheun, sasia e peshkut të zënë ishte më e vogla, prandaj Ismailati me nismën e vet dhe miratimin nga drejtuesit e atëhershëm të kantierit nis punën për ndërtimin e peshkatoreve, që më pas do të kishin flotën e tyre. Nevojat për transport do e fokusonin vëmendjen e projektuesve në ndërtimin e anijeve për këtë funksion. Gjithçka nisi me ndërtimin e anijeve 500-tonëshe të transportit, për të arritur në vitin 1983, kur u ndërtua anija e parë 2700-tonëshe. Ishte një arritje e madhe dhe padyshim që emri i saj duhet të kishte lidhje me udhëheqësin. Anija e parë e tonazhit të madh do të quhej “Gjirokastra”. Flota e anijeve shqiptare do të shpërbëhej me ndryshimin e sistemeve në vend. Anijet do të shiteshin e privatizoheshin, duke i dhënë fund punës së një jete. Të joshur nga ofertat për fitim të shpejtë, një pjesë e tyre përfunduan edhe për skrap në portet e huaja. “Po të mos isha sëmurur, do të bënim anije edhe më të mëdha. është fatkeqësi që në kantier sot nuk ka punë. Për ndërtim nuk flitet, por as për riparim jo. çmimet e larta dhe mungesa e specialistëve kanë bërë që anijet të riparohen në portet e vendeve fqinje”, thotë me keqardhje 77-vjeçari, të cilit sëmundja i ndërpreu punën dhe pasionin për ndërtimin e anijeve.
#