E Diel, 1 Nëntor 2026

Njeriu që i ndërroi faqen flotës shqiptare

Gani Ismailati

Jeta në pension e “Heroit të Punës Socialiste”, që përfitoi vetëm moralisht
Ai i përket brezit të heronjve, të heronjve të humbur e të heshtur, të cilëve në muret e shtëpisë u kanë mbetur veç vlerësimet e varura në korniza. Ato financiare nuk munden t’i shijojnë, pasi “ata, të tjerët”, që kanë pushtetin, i konsiderojnë si pjella të një sistemi nga i cili enkas harrojnë se dolën edhe vetë. Nuk është luftëtar, por një “Hero i Punës Socialiste”. Një njeri që lindi në vitin 1932 e që jeta ia solli, si shumë të tjerëve që vijnë nga familje me shumë fëmijë, të mos e dijë me saktësi datën e lindjes. Djegia bashkë me shtëpinë e librit të shenjtë, “Kur’anit”, të familjes ku ishin shënuar datëlindjet e fëmijëve, bëri që numrat, të cilët janë të veçantë në jetën e kujtdo, të shkrumbohen.
Flakët shuan fletë e numra e për të u fiksua 3 korrik 1932 në regjistrin themeltar. Një datë si shumë të tjerat, që me vitet që kalojnë është bërë padyshim e vetja. është ing.Gani Ismailati. Arsimin e mesëm e bëri natën, më pas u diplomua në Poloni për projektim e ndërtim anijesh. Në jetën e vet ka bërë punë të llojeve të ndryshme dhe atë të shërbyesit në fëmijëri. Pas diplomimit nuk iu nda dashurisë që e lidh me anijet, kantierin e vetëm të riparim-ndërtimit të tyre. Projektuesi i parë i ndërtimit të anijeve në vend, që e kaloi jetën në Kantierin Detar Durrës, e sot me trishtim sheh se ai është shpërbërë, e ka humbur funksionin e vet të dikurshëm nga pronarët e rinj. Shqipëria është kthyer sërish në shekujt e kaluar. Një vend buzë detit ku jo vetëm pa prodhim anijesh, po as riparime nuk kryhen më. Tre vite të shkuara, kur shkeli në kantier për herë të fundit, ndjeu dhembje. Roja i kantierit me vështirësi u bind ta linte të futej në vendin ku punoi një jetë të tërë dhe që sëmundja e detyroi ta lërë. “Pashë hapësirën e madhe boshe, ku dikur punohej me entuziazëm për të bërë afro 40 anije. Në të ishte vetëm një anije e vogël. Nga një ndërmarrje me mbi një mijë punëtorë, është katandisur në veçse pak punonjës. Gjynah”! Dhe Ganiu zhytet në kujtimet e viteve të para të punës, kur sapo kishte ardhur me studime të përfunduara në Gdansk të Polonisë. Ishte diplomuar si inxhinier projektues për ndërtimin e anijeve. Vendi kishte kaq shumë nevojë për kontributin e tij dhe të specialistëve të tjerë. Aq më tepër që i përkiste një zone bregdetare. Shqipëria kishte nisur rimëkëmbjen në bazë të një sistemi totalitar që në atë kohë askush nuk e kundërshtonte. Gjithçka kishte nisur të bëhej me forcat dhe kapacitetet vendase, ndërsa një grup të rinjsh ishin dërguar për t’u arsimuar jashtë dhe pritej kontributi i tyre pas kthimit në atdhe. Menjëherë pas diplomimit dhe mbërritjes në Durrës në vitin 1954, Ganiu emërohet në kantierin detar, ku nxiton të vejë në jetë atë çka kishte mësuar. Nuk i mungon iniciativa, po gjithçka duhej nisur nga A-ja. “Kur bota kishte një shekull e gjysmë që ndërtonte anije çeliku, e nisa punën si projektues i barkave të drurit. Prandaj duhej një revolucion teknologjik. Në vitin 1967 ndërtuam një barkë të vogël pilotazhi prej çeliku. Ishte 5 metra e gjatë, po një fillim i mbarë për të vijuar punën në ndërtimin e anijeve dhe për të dalë nga koha e drurit, që na linte në periudhën detare të Mbretëreshës Teutë”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›