E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heroi i ri i Napolit

Qyteti i Napolit e posedon heroin e vet të ri. Ai është Edinson Cavani, për të cilin është ngritur në këmbë i gjithë qyteti. Për të janë thurur edhe këngë. ‘El Matador’ ka shënuar 20 gola në pesë muajt e fundit, tri prej tyre kundër Juventusit të dielën. 23-vjeçari beson se Napoli ka ekip për Ligën e Kampionëve. Nga Express më 11 janar 2011 në ora 10:19

Ndoshta duket e ekzagjeruar të krahasohet me Maradonën, por Edinson Cavani është bërë hero i ri i Napolit. Sulmuesi uruguaian ka realizuar 20 gola në 5 muajt e fundit, duke e ndihmuar Napolin që të ngrihet në pozitën e dytë në Serie A, katër pikë prapa kryesuesit, Milan.

Cavani, i cili u transferua tek ekipi kaltërebardh gjatë verës që shkoi nga Palermo, si huazim, i ka mahnitur të gjithë edhe të dielën mbrëma, në ndeshjen e fundit të xhiros së 19-të të kampionatit italian. Ai ka shënuar tre gola ndaj Juventusit, dy me kokë dhe një me take, për ta çmendur të gjithë botën e futbollit.

Ai nuk e kishte imagjinuar as në ëndërr një paraqitje të tillë. “Për mua, ky është një gëzim i madh, është një natë e paharrueshme. Ta shohësh këtë stadium të mbushur dhe me këtë publik të jashtëzakonshëm, të vë në siklet dhe të bën të ndihesh i emocionuar. Kemi bërë një lojë të madhe dhe i morëm tri pikët me meritë”, tha 23-vjeçari, i cili në Serie A këtë sezon ka realizuar 13 gola.

Me formën që po e kalon Napoli, Cavani beson se ky ekip në fund të sezonit do të shkojë së paku në Ligën e Kampionëve. “Këtë e vërteton edhe renditja jonë, por duhet të përmirësohemi edhe më shumë. Me Interin kemi bërë shumë gabime. Duhet të jemi më të shkathtë dhe të vazhdojmë me ritmin e sotëm”, vazhdoi ai.

Ai e festoi njërin prej golave duke e futur topin nën fanellë, për djalin e tij të vogël. “Biri im vjen përpara çdo gjëje. Jam i lumtur për lindjen e djalit, pasi e prisnim qe një kohë të gjatë”, tregon ai.

Ndërkohë, fansat e Napolit ngrihen në këmbë, kur përmendet emri i Cavanit. Ata i kanë dedikuar këngë të ndryshme sulmuesit të tyre të zemrës. Presidenti i Napolit, De Laurentiis e ka mundësinë e blerjes së futbollistit nga Palermo për 16 milionë euro.

Tash, vlera e Cavanit është ngritur në 30 milionë, por as këto para nuk i mjaftojnë kreut të klubit napolitan, i cili thotë se nuk e shet as për 50 milionë euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›