E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luante futboll, vdes i dënuari

 Vdes duke luajtur futboll i dënuari për drogë. Arben Ruku, 38 vjeç nga Berati ka pësuar një goditje në zemër, duke u rrëzuar përtokë gjatë lojës që po zhvillonte mesditën e djeshme me bashkëvuajtës të tjerë në burgun e Peqinit. Plot 1 vit më parë ai ishte arrestuar, pasi ishte dënuar në mungesë me 5.9 vjet heqje lirie. Një përpjekje për të gjuajtur topin ka dështuar, duke bërë që Ruku të përplasej me fushën e improvizuar në ambientet e ajrimit. Ngjarja që tronditi institucionin e burgut të Peqinit ndodhi rreth orës 13:05 të ditës së djeshme. Menjëherë Ruku është marrë nga gardianët dhe një autoambulancë duke u transportuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Por gjatë rrugës ai ka ndërruar jetë. Për të zbardhur shkaqet e vdekjes, trupi i pajetë i të burgosurit është dërguar në morg dhe të dhënat e para flasin për një atak kardiak që ai ka pësuar në momentet e lojës. Në burgun e Peqinit ka shkuar një grup hetimor i përbërë nga oficerë të policisë dhe prokurori i gatshëm i Elbasanit. Pasi kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarët kanë arritur në konkluzionin se vdekja e Rukut ishte aksidentale. Rreth 20 të dënuar të tjerë kanë treguar për momentet e fundit të beratasit. Këtij raporti i është bashkuar dhe përfundimi paraprak i ekspertëve ligjorë për një vdekje nga probleme në zemër. Goditja ka qenë e papritur dhe mësohet se asnjëherë Ruku nuk ishte ankuar apo shfaqur shqetësime për shëndetin. Tashmë pritet një raport përfundimtar mbi shkaqet e vdekjes së të burgosurit. Ai ishte arrestuar më 20 dhjetor të vitit të kaluar dhe meqënëse ndaj tij gjykata kishte marrë vendim të formës së prerë, u transferua në burgun e Peqinit. Mësohet se Arben Ruku kishte qenë më precedentë të mëparshëm për veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Megjithatë, në burgun e Peqinit nuk kishte krijuar asnjë incident. Dhe drejtori i këtij institucioni, Pajtim Murrja, pasi shprehu  keqardhjen për humbjen e jetës së 38-vjeçarit pohoi se Ruku kishte sjellje të mirë. Gjatë një dite, të dënuarit dilnin 2 herë në ajrim, nga një orë. Njërën prej këtyre daljeve e shfrytëzonin për të luajtur futboll në grupe, në bazë të sektorëve, të ndarë sipas masës së dënimeve që të burgosurit kanë mes tyre. Si fushë futbolli ata kishin përshtatur një fushë me zhavorr, ndërsa një tjetër ekziston jashtë ambienteve të ajrimit, e cila shfrytëzohet në raste aktivitetesh të organizuara nga institucioni. Dhe mesditën e djeshme grupi i lojtarëve, mes tyre Arben Ruku dolën për të luajtur futboll, por 38-vjeçari nuk arriti ta çonte deri në fund ndeshjen. Familjarët e tërhoqën trupin në orët e vona për të kryer ceremoninë mortore.          a.k/f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›