E Diel, 1 Nëntor 2026

Heroina, përfundojnë hetimet ndaj ish-shoferit pranë ambasadës greke

08/04/2005  Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet në ngarkim të Ilir Ajazit, ish-shofer pranë ambasadës greke në Tiranë dhe dy miqve të tij, Valter Foto e Krenar Cako. Ata akuzohen për organizim të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se dosja së shpejti do t’i përcillet Gjykatës së Krimeve të Rënda për shqyrtim. Burimet thonë se veç tre të arrestuarve është bërë i mundur edhe identifikimi i një personi tjetër, të dyshuar si bashkëpunëtor të tyre, që mendohet se organizonte shpërndarjen e drogës në Greqi. Por policia ende nuk ka mundur të ekzekutojë urdhër-arrestin e lëshuar për të nga Prokuroria, thonë burimet. Në nëntor të vitit të kaluar, policia e kryeqytetit prangosi në rrugën Gjirokastër-Kakavijë, Ilir Ajazin, ish-shofer pranë ambasadës greke atëherë, pasi në autoveturën e tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3.310 kilogramë heroinë. Burimet e Prokurorisë thanë atëherë se hetimi ndaj Ajazit dhe dy të prangosurve të tjerë kishte filluar më parë, pasi kishte informacione për aktivitetin e tyre kriminal. Madje, ditën që Ajazi është nisur drejt Greqisë, me sasinë e heroinës të fshehur në makinë, policia kryeqytetase e ka ndjekur dhe e ka bllokuar në Gjirokastër. Ndërkohë janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtorët e tij të akuzuar, Valter Foto dhe Krenar Cako, thonë burimet. Ata dyshohen se kishin të paktën dy vjet që e ushtronin këtë aktivitet në bashkëpunim, theksojnë burimet e akuzës. Foto dhe Cako dyshohen se siguronin drogën, ndërsa Ajazi e transportonte në Greqi. Burimet theksojnë se ky i fundit përdorte pozicionin e detyrës si shofer pranë ambasadës greke, duke iu shmangur kështu kontrolleve të policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›