Ish-kreu i Burgjeve, Sajmir Shehri, shef kabineti në Gjykatën e Lartë
TIRANE – Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Sajmir Shehri emërohet shef i kabinetit në Gjykatën e Lartë. Lajmi është konfirmuar dje nga burime zyrtare të Gjykatës së Lartë sipas të cilave prej ditës së djeshme, Shehri ka marrë detyrën e re. Emërimi mësohet se është bërë nga kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve për një periudhë mëse 2-vjeçare, Sajmir Shehri, u largua nga detyra e kryegardianit në nëntor 2007 pas një replike të ashpër publike me ministrin e Drejtësisë në atë kohë Ilir Rusmali. Shehri mori drejtimin e burgjeve në vitin 2005 dhe qëndroi drejtor i Përgjithshëm deri në nëntor 2007, kur u largua nga detyra pas konfliktit disamujor me ministrin e Drejtësisë. Shkak u bë tenderi për godinën e një burgu në Durrës, ku Sajmir Shehri akuzoi ministrin e atëhershëm të Drejtësisë Rusmali, se vëllai i tij kishte ndërhyrë në prokurimin me vlerë rreth 2 milionë euro. Ministria e Drejtësisë në atë kohë i mohoi akuzat, ndërsa çështja u bë objekt hetimi nga Prokuroria, e cila pas disa verifikimeve e mbylli çështjen për mungesë provash. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Sajmir Shehri bëri publike edhe një regjistrim filmik ku ndodhej vëllai i Rusmalit, duke biseduar me një zyrtar të burgjeve ku flitej për favorizim në tenderin e burgut. Konflikti vazhdoi më pas për disa muaj derisa ish-ministri i Drejtësisë Rusmali emëroi drejtorin e ri të policisë së burgjeve, i cili tha se nuk u lejua të hynte në godinën e Drejtorisë nga Sajmir Shehri. Ky i fundit akuzoi më pas Rusmalin se kishte anashkaluar drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve nga i cili duhej të merrte propozimin për emërimin e kryepolicit të burgjeve. Mosmarrëveshjet, të cilat u bënë edhe publike, u mbyllën me shkarkimin nga detyra të Sajmir Shehrit. Shkarkimi i propozua tek kryeministri nga Ilir Rusmali, ndërsa disa ditë më vonë kreu i Qeverisë largoi nga detyra kryegardianin. Edhe më pas Sajmir Shehri bëri akuza publike për korrupsion nga Ministria e Drejtësisë në çështjet e burgjeve, duke pohuar se dikasteri i drejtësisë kishte tentuar të përkeqësonte gjendjen në sistemin e burgjeve, duke zgjedhur shkëputjen e komunikimit me Drejtorinë e Përgjithshme.